Lazim Destani po shqyrton largimin nga futbolli i Maqedonisë së Veriut, në tavolinë opsionet Shqipëri dhe Kosovë
Zhvillimet e fundit rreth KF Shkëndijës dhe vendimet që kanë shkaktuar reagime të shumta në opinionin sportiv duket se kanë hapur një kapitull të ri për të ardhmen e klubit tetovar. Sipas burimeve jozyrtare pranë klubit, Lazim Destani po shqyrton seriozisht mundësinë që t’i japë fund angazhimit të tij në futbollin e Maqedonisë së Veriut, pas më shumë se një dekade investimesh dhe përkushtimi ndaj Shkëndijës. Burimet bëjnë të ditur se zhgënjimi i akumuluar nga trajtimi institucional, vendimet e kontestuara dhe ngjarjet e fundit që kulmuan me përjashtimin e Shkëndijës nga gara e Kupës, kanë shtyrë drejtuesit e klubit të analizojnë rrugë të reja për të ardhmen. Sipas të njëjtave informacione, në diskutim nuk është vetëm tërheqja nga investimet në futbollin vendor, por edhe mundësia e orientimit të kapitalit, përvojës dhe ambicieve sportive drejt tregjeve të tjera shqiptare të futbollit. Në qarqe sportive po përflitet se si alternativë serioze po shqyrtohen kampionatet e Kosovës dhe Shqipërisë, vende ku interesimi për projekte të mëdha sportive dhe zhvillimin e klubeve mbetet i lartë. Lazim Destani konsiderohet arkitekti i suksesit modern të Shkëndijës. Nën mbështetjen e tij, klubi u shndërrua nga një skuadër lokale në një emër të njohur në arenën evropiane, duke fituar trofe, duke marrë pjesë në garat ndërkombëtare dhe duke ngritur standardet e futbollit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, sipas burimeve jozyrtare, ekziston bindja se investimet milionëshe, sukseset sportive dhe kontributi i vazhdueshëm nuk janë shoqëruar me respektin dhe trajtimin që pritej nga institucionet e futbollit në vend. Për këtë arsye, po shqyrtohet seriozisht mundësia që kapitulli i futbollit në Maqedoninë e Veriut të mbyllet, ndërsa energjia dhe investimet të orientohen drejt një projekti të ri në Kosovë ose Shqipëri. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se, nëse nuk realizohet një projekt i mundshëm në Kosovë ose Shqipëri, nuk përjashtohet as mundësia që Lazim Destani të tërhiqet plotësisht nga futbolli. Sipas të njëjtave burime, zhgënjimi nga zhvillimet e fundit ka bërë që të gjitha opsionet të jenë në tavolinë, përfshirë edhe largimin përfundimtar nga investimet në futboll, pas shumë vitesh angazhimi dhe mbështetjeje për sportin shqiptar në rajon.