GazetaMax
Lajme

Rreziqet e BSHZH për financat publike dhe stabilitetin e tregut bankar

Nga Bujar Leskaj

Duke analizuar në detaje projektligjin dhe relacionin e projektligjit për Bankën Shqiptare të Zhvillimit (BSHZH), mund të identifikohen një sërë elementesh që përbëjnë rreziqe të mundshme për ekonominë, financat publike dhe stabilitetin e tregut bankar. Më poshtë kam renditur këto problematika dhe pasojat e tyre të mundshme.

ProfitSence Logo

1. Mungesa e një mekanizmi të qartë për Kontrollin dhe Monitorimin e Rrezikut

Relacioni që në hyrje të tij specifikon se BSHZH do të financojë “sektorë të nënfinancuar të ekonomisë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, përfshirë mikrondërmarrjet dhe startup-et, si dhe mbështetjes së projekteve zhvillimore, që lidhen me përmirësimin dhe modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale, me fokus të veçantë tek investimet e gjelbra”. Pra bëhet fjalë të financuar sipërmarrje me risk të lartë por nuk përcakton qartë një mekanizëm të fortë kontrolli për vlerësimin e rrezikut të kredive dhe investimeve. Përkundrazi, kjo bankë jo vetëm do të operoje në sektorët që relazioni i quan si “dështime të tregut” të cilët mbartin riskun më të lartë por në të njëjtën kohë nuk do ti nënshtrohet të njëjtave rregullave strikte që i nënshtrohen bankat tregtare në Shqipëri, rregulla të cilat u mundësojnë atyre të minimizojnë riskun dhe të sigurojnë fitim.

Pajsojat e mundshme që mund të sjell mungesa e një strukture të fortë të menaxhimit të rrezikut, janë:

• Financimi i projekteve jo të qëndrueshme ekonomikisht, që nuk kanë kthyeshmëri reale, duke orientuar fondet jo vetëm në shtigje me riskqe të larta por dhe në sektorë joproduktivë të ekonomisë.
• Kreditimi pa analiza të plota të aftësisë paguese të huamarrësve, duke rritur numrin e kredive të këqija. Startup-et, investimet e gjelbra janë të vështira për t[u analizuar me objektivitet edhe nga banka me struktura të konsoliduara të analizës dhe monitorimit të huamarrësit.
• Mund të rrezikojë krijimin e një një borxhi të keq të akumuluar, që përfundimisht duhet mbuluar nga buxheti i shtetit çka do të ishte një barrë për të gjithë taksapaguesit. Pra tëë taksapaguesit do të paguanin borxhin që do të përfitonin një pjesë e taksapaguesve sipërmarrës që do të financonte kjo bankë. Për më tepër, rritje e kredive me probleme (NPL) do të ndikonte negativisht në stabilitetin e bankës me probabilitet nxitjen e një krize financiare të shkaktuar nga një institucion publik.

Natyrisht që mbështes konstatimin që sektorët e nënfinacuar të ekonomisë kanë nevojë për një mbështetje financiare, mbështetje të cilën nuk e marrin nga bankat dhe institucionet e tjera të kreditimit për shkak të riskut të lartë që paraqet aktiviteti i tyre. Por, kjo mbështetje duhet të vijë në një formë të mirëmenduar dhe të provuar për suksesin e saj, dhe jo në formën e një eksperimenti që mund të thellojë problemin dhe të rrezikojë jo thjesht keqpërdorimin e fondeve publike por dhe stabilitetin e brishtë të sistemit financiar të vendit.
Fakti se shembulli i një banke të tillë vjen nga Bashkimi Europian nuk duhet të na emocionojë dhe as konfuziojë. Krijimi i një banke kombëtare të promovimit (national promotional banks – NPBs) nuk është pjesë e detyrueshme e procesit të integrimit në Bashkimin Europian. Sipas dokumentit të Komisionit Evropian të datës 22 korrik 2015 (të cituar në Relacion) “mbetet në dorën e shteteve anëtare individuale të vendosin nëse duhet të krijohet një NPB, si dhe për formën e strukturën e saj”.

2. Ndikimi i lartë i politikës dhe rreziku i klientelizmit

Sipas projektligjit, BSHZH do të jetë një shoqëri aksionare ku shteti do të mbajë të paktën 51% të kapitalit (Kreu I, Neni 6). Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës dhe Këshilli i Administrimit do të jenë të emëruar nga qeveria (Kreu II, Neni 13, 15). Pra Asambleja e Përgjithshme e pronarëve që dominohet nga Qeveria zgjedh organet drejtuese të bankës. Ky përcaktim e vë Bankën në kontrollin e plotë të qeverisë me drejtues politikë ngjashmërisht me atë që ndodh me ndërrmarjet e tjera shtetërore si OSHEE (FSHU), ujësjellësat, etj. Kjo varësi mbart së paku 2 probleme:

Së pari, rreziku i ndërhyrjes politike në vendimmarrjen e bankës është i plotë. Drejtimi i Bankës do të jetë në dispozicion të nevojave të Qeverisë duke e kthyer bankën në një institucion që merr vendime të bazuara në interesa afatshkurtra politike dhe jo në analiza financiare të studiuara. Kjo jo vetëm që do të ishte keqpërdorim fondesh për motive politike por do të paraqiste një risk të lartë për sektorin financiar. Ndryshe nga një ujësjellës që keqmenaxhimi apo menaxhimi politik afatshkurtër sjellin dëme të cilat nëse ndërpriten e shpëtojnë institucionin nga dëmet e mëtejshme, për një bankë orientimi afatshkurtër politik e fut institucionin në një rrugë pa kthim që nuk jep mundësinë për rikuperim edhe nëse abuzimi ndalon. Kjo do të rrezikonte jo thjesht falimentimin e bankës por qëndrueshmërinë e sistemit financiar shqiptar në tërësi. Institucionet financiare menaxhohen me politika afatmesme dhe afatgjata të mirëstudiuara.

Për fat të keq Shqipëria ka përvojë në këtë drejtim. Nga 3 banka Shtetërore të krijuara në në vitin 1993 kur u krijua sistemi bankar me 2 nivele, njëra prej tyre, Banka Kombëtare Agrare, falimentoi. Dy bankat e tjera, Banka Kombëtare Tregtare nga keqmenaxhimi ndërkohë që ishte pranë alternativës së likuidimit për shkak se ishte pa kapital, u privatizua nga Qeveria Socialiste për 1 Dollar dhe banka tjetër, Banka e Kursimeve, ndaloi kreditimin çka e shpëtoi nga falimentimi deri në privatimizimin e saj të mëvonshëm.

Së dyti, një drejtim politik i Bankës mundëson financimin e projekteve të lidhura me grupe politike apo biznese të favorizuara duke thelluar korrupsionin. Pra në vend të një mundësie për zhvillimin e ekonomisë dhe drejtësisë sociale në vend Banka do të jetë përballë riskut të shndërrimit në një burim të korrupsionit dhe klientelizmit të cilat tashmë janë në nivele të larta. Përveç kësaj një bankë e tillë do të deformonte tregun pasi do të përdorte fonde publike dhe jo vetëm për të krijuar avantazhe në treg për grupet politike dhe bizneset klienteliste të Qeverisë duke e promovuar akoma më shumë klientelizmin dhe politizimin si burim suksesi në dëm të meritokracisë.

3. Barrë e vazhduar për Buxhetin e Shtetit

Projektligji dhe Relacioni specifikojnë se kapitali fillestar i bankës do të jetë 10 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe është financim nga Buxheti i Shtetit (Kreu I, Neni 7 dhe Neni 8). Gjithashtu, banka do të ketë mundësi të marrë fonde të tjera nga burime ndërkombëtare dhe nga buxheti i shtetit. Për më tepër, në pikën 4 të Nenit 7 përcaktohet se “Banka Shqiptare e Zhvillimit respekton standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të mjaftueshmërisë së kapitalit gjatë gjithë veprimtarisë së saj”. Kjo do të thotë që me rritjen e kreditimit nga ana e bankës do të vijë një moment që do të jetë e nevojshme shtimi i kapitalit çka do të lindë detyrimi nga ana e Buxhetit të Shtetit për të shtuar akoma fonde tek banka për pjesën e vet të kapitalit aksionar (të paktën 51%). Kjo shtesë fondesh në kapital për sa kohë që banka të funksionojë dhe të japë hua do të jetë e vazhduar.

Sipas Nenti 8, pika b dhe c, Buxheti i Shteti do të ofrojë dhe “garanci shtetërore” për “Produktet e kursimit të mbledhura nga publiku” dhe “instrumente të tjera financiare” që do të emetojë banka për të financuar aktivitetin e saj . Kjo do të thotë që në rast dështimi të bankës Buxheti i shtetit jo vetëm ekspozohet përballë humbjes së parave që ka investuar si pronar (siç rriskojnë të gjithë pronarët e tjerë) por humbja e Buxhetit të Shtetit është e plotë pasi merr përsipër të mbulojë të gjitha fondet që ka grumbulluar Banka nga palë të treta. E thënë ndryshe, atë garanci që bankave tregtare ja u jep Agjencia e Sigurimit të Depozitave, BSHZH do ja japë Buxheti i Shtetit. Në tregun bankar, ASD është një palë e tretë që cenohet nga falimentimi i bankave dhe bën presion te drejtuesit e bankave tregtare që mos të angazhojnë bankën në risk të lartë që mund të rrezikonte falimentimin. Ndërkohë, në rastin e BSHZH është Buxheti i Shtetit që menaxhohet nga Qeveria që cenohet nga falimentimi i bankë. Për analogji do të duhej që Qeveria të bë presion te drejtuesit e BSHZH që i zgjedh po vetë, që mos të angazhojnë bankën në risk të lartë që mund të rrezikonte falimentimin . Me pak fjalë Qeveria do të mbikëqyrë veten.

Përveç kësaj eksiton dhe një rrezik për borxhin publik. Nëse banka nuk është e qëndrueshme financiarisht, mund të marrë financim apo kredi në vlera të larta duke përdorur garancinë shtetërore. Këto kredi “de facto” janë detyrime të Buxhetit të Shtetit dhe një situatë e tillë do të rriste më tej borxhin publik. Për me tepër, nëse banka bëhet e paqëndrueshme dhe kërkon ndihmë financiare të vazhdueshme me garanci shtetërore, rritja e Borxhit Publik do të rrezikojë të dalë jashtë kontrollit, çka në një skenar negativ por me probabilitet real ndodhjeje, do të provokonte një krize buxhetore.

4. Rreziku i shtrembërimit të tregut bankar dhe konkurrencës së padrejtë

Projektligji parashikon që BSHZH do të operojë në segmente të nënfinancuara të ekonomisë dhe do të sigurojë financime të favorshme për bizneset dhe projektet strategjike (Kreu I, Neni 4). Duke pasur mbështetje shtetërore dhe duke mos pasur qëllim fitimin, BSHZH ka mundësinë të ofrojë kredi me norma më të ulëta interesi se bankat private, duke krijuar konkurrencë të pandershme. Pra, edhe nëse ky projekt do të rezultonte i suksesshëm, ai do të rrezikonte të krijonte varësi të bizneseve nga financimi publik, duke dëmtuar zhvillimin e një sektori privat të pavarur financiar. Kjo do të rriste rrezikun e zhvendosjes së klientëve nga bankat private në BSHZH, duke dëmtuar sektorin bankar ekzistues. Si përfundim mund të thuhet se ky projektligj mbart problematika të mëdha strukturore, të cilat, nëse nuk adresohen, mund të sjellin pasoja negative që u përmendën më lart, si ndikim politik dhe mungesë e pavarësisë në vendimmarrje, rritje e kredive të këqija, barrë e shtuar për buxhetin e shtetit, konkurrencë e padrejtë etj. Një iniciativë për krijimin e një institucioni financues të tillë për të mbështetur sektorët e nënfinancuar të ekonomisë kërkon që të gjenden rrugët për krijimin e mekanizmave të kontrollit dhe monitorimit të rrezikut, sigurimi të pavarësisë së plotë nga ndikimi politik si dhe krijimin e një strategjie të qartë për parandalimin e falimentimit.

Related posts

Bekim Sali shpalos dokumentin ku shihet se deputetët e Alternativës nuk kanë votuar për propozimin për ndryshimet në Kodin Penal!

Gazeta Max

Vazhdon gjykimi për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Gazeta Max

Markoviq: Makron po bën përpjekje të dëshpëruara për heqjen e vetos

Gazeta Max