Kryeministri i Rumanisë kishte njoftuar dorëheqjen e qeverisë së tij në përgjigje të thirrjeve të protestuesve që ai dhe zyrtarë të tjerë të lartë të marrin përgjegjësinë dhe të largohen për shkak të zjarrit në një klub nate që vrau 32 persona.
Kryeministri rumun Victor Ponta tha në një deklaratë me shkrim se veprimet e tij do të kënaqin mijëra protestues që marshuan në qendër të Bukureshtit.
Protestuesit pretendonin se disa shtetarë të rangut të lartë i lejuan vetes të merrnin ryshfet në këmbim të lejeve për të organizuar koncerte në klube të mbushura me njerëz dhe të rrezikshëm.
32 të rinj u vranë dhe 200 u plagosën në klubin e natës Kolektiv kur mjetet piroteknike të përdorura gjatë një koncerti i vunë flakën tavanit, i cili më pas u shemb dhe një turmë prej rreth 400 personash vrapuan drejt një daljeje të vetme, duke shkaktuar një rrëmujë.
Protestuesit tundnin pankarta ku lexonin “Korrupsioni vret” dhe kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Ponta, ministrit të brendshëm Gabriel Oprea dhe kryetarit të bashkisë së Bukureshtit ku ndodhej klubi.
Prokurorët e shtetit kanë urdhëruar që pronarët e tri lokaleve të natës të ndalohen për t’u marrë në pyetje.
Dhjetra mjekë po trajtojnë të plagosurit, duke thënë se është e vështirë për ta të shikojnë kaq shumë të rinj, jeta e të cilëve është ndryshuar përgjithmonë.
Dhe ndërsa mijëra njerëz marshuan nëpër Bukuresht të martën, vendi bëri nderim për dy burra që u përshëndetën si heronj të tragjedisë.
Presidenti Klaus Iohannis nderoi pas vdekjes fotografin Claudio Petre dhe bateristin Adrian Rugin. Të dy burrat vdiqën duke u përpjekur të shpëtonin të tjerët nga një klub nate që digjej.
Iohannis tha se të dy burrat do të mbahen mend për “kurajën e tyre, altruizmin dhe shpëtimin e jetëve me çmimin e sakrificës përfundimtare”.