Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, promovoi sot nisjen e punimeve për ndërtimin e çerdhes së re në lagjen Butel 2, e cila përfaqëson investimin më të madh të komunës në këtë zonë deri më tani.
Në vendin e objektit të vjetër të ndërtuar në vitin 1964, tashmë po ndërtohet një çerdhe moderne dhe bashkëkohore, që do të plotësojë të gjitha standardet për kujdesin dhe edukimin e fëmijëve të moshës parashkollore. Ndërtimi po ecën me një ritëm të shpejtë dhe pritet të finalizohet në afat të parashikuar.
“Objekti i ri do të ketë sipërfaqe prej 1800 metra katrorë dhe do të përfshijë 3 hyrje të veçanta, 7 dhoma aktivitetesh secila me dhomën e saj të gjumit, 2 dhoma të tjera me hapësira të përbashkëta gjumi, si dhe një dhomë moderne për foshnja. Gjithashtu, do të ketë një hapësirë të veçantë për izolim dhe kujdes shëndetësor, së bashku me një kuzhinë të posaçme për përgatitjen e ushqimit të foshnjave”, ka shkruah Kostovski.
Kapaciteti i çerdhes do të jetë për 200 fëmijë, duke plotësuar një nevojë të kahmotshme të banorëve të lagjes Butel 2.
“Pas shumë viteve me premtime të parealizuara, më në fund po e sjellim këtë investim kapital në Butel 2. Kjo çerdhe është dëshmi e përkushtimit tonë për një komunë moderne dhe evropiane,” ka shkruar më tek kryetari i Butelit, Darko Kostovski.
Sipas Kostovskit ky projekt është pjesë e vizionit për përmirësimin e kushteve të jetesës në Komunën e Butelit dhe për mbështetjen e familjeve të reja.