GazetaMax
Lajme

Fetusi u fut me çarçafë në lavatriçe, ja çka thuhet në aktakuzën e rastit tronditës në Pejë

Në Gjykatën Themelore të Pejës sot u mbajt seanca fillestare në rastin e jashtëzakonshëm që ndodhi në dhjetor të 2022-tës, kur një foshnjë e pajetë u fut në lavatriçe.

Të pandehurit, gjinekologu S.I. dhe infermierja E.A., janë paraqitur në seancë pa mbrojtës ligjor.

Të dy janë deklaruar si të pafajshëm, raporton IndeksOnline.

Sipas aktakuzës së ngritur, më 12 dhjetor të vitit të kaluar, dy të pandehurit janë ngarkuar me veprën penale “Dëmtim i varrezave apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2, të KPRK-së.

Në aktakuzë janë të ftuar në cilësinë e dëshmitarit 4 pjesëtarë nga stafi spitalor dhe një inspektor shëndetësor, raporton IndeksOnline.

Sipas aktakuzës, Drejtoria rajonale e policisë në Pejë, më 16 dhjetor 2022 ka parashtruar raport informues, të pranuar në prokurori, më 16.12.2022, lidhur me rastin e ndodhur në Spitalin Rajonal Pejë – Reparti i Gjinekologjisë, ku më 13 dhjetor 2022 rreth orës 19:00, një fetus i cili dihej edhe më parë se ishte i vdekur, i lindur me intervenim kirurgjik, nën përkujdesjen e mjekëve dhe motrave medicinale, është përkujdesur për sistemimin e pacientes dhe fetusit në dhomat e repartit.

Nëna e fetusit kishte deklaruar se nuk e ka parë trupin e pajetë pas lindjes, duke thënë se nga nëna e saj mori informacionin se trupi ishte mbështjellur me çarçafë të bardhë, në shenja normale por pa shenja jete.

“… nëna ime më ka treguar se pasi ka parë beben, E.A. e ka mbështjell sërish por jo në formë të rregullt siç mbështjellën foshnjat zakonisht, por e ka mbuluar të tërën sa që ka qenë e vështirë të dihej nëse ka diçka brenda çarçafit ose jo. Për këto unë u njoftova ditën e nesërme në mëngjes, pasi është kryer vizita mjekësore ku unë kam kërkuar me ditë a e ka parë dikush fëmijën. E di se atë ditë, rreth orës 10:00, ka pasur të vie burri im që ta marr trupin e bebes, me qëllim që të përfundojnë ceremoninë e varrimit sipas traditave. Nuk kam kërkuar nga stafi që të më tregojnë trupin e foshnjës, edhe pse kisha pasur dëshirë ta shoh”, ka deklaruar mes të tjerash e ëma e fetusit.

Nga ana tjetër, babai i bebes në deklarimin e tij tha se ishte përgatitur për ceremoninë mortore dhe kishte hapur varrin për fëmijën e tij të vdekur, pa qenë në dijeni se trupi që kishte lindur pa shenja jete, ishte futur në lavatriçe si pasojë e pakujdesisë.

“Pasi e njoftova mikun, unë shkova se bashku me të në repartin gjinekologjik, që të interesohemi të tërheqim trupin e foshnjës dhe aty gjeta policinë, motrat medicinale dhe kuptova se diçka nuk është në rregull. Aty për aty, dhe miku me njoftoi se trupi i foshnjës është gjetur në lavatriçe, së bashku me çarçafët, dhe se dikush nga stafi e kishte futur në mëngjesin e së njëjtës datë. Sipas bindjes time, dhe aq sa më ka njoftuar bashkëshortja ime, konsideroj se deri te kjo situatë ka ardhur pasi personat përgjegjës, të cilët kanë trajtuar trupin e foshnjës sime, nuk kanë treguar kujdesin e duhur me rastin e vendosjes së trupit të pajetë pas lindjes në vendin ku është ndodhur, kur është tërhequr nga punonjësi që i ka bartur çarçafët. Po ashtu, as mbështjellja e trupit të foshnjës nuk është në atë formë e cila do të tregonte trajtim të veçantë, pasi bëhej fjalë për një turp njeriu, ku edhe do t’i bëhej me dije secilit punonjës të stafit se, nëse bie në kontakt me të, aty gjendej një turp i pajetë….”.

Përpara prokurorisë u ftuan dëshmitarët për deklarim, përfshirë dhe pastruesin, i cili deklaroi se punën e nisi si zakonisht, duke shkuar në dhomën obstetrike rreth orës 07:15, për të marrë kontejnerin me rroba të papastra. Pastruesi F.Z. deklaroi përpara prokurorisë se rrobat e papastra i ka zbrazur në lajtore, ku ka qenë prezent edhe një person që ka parë çarçafët, teksa ai ka marrë rrobat e pastra për t’i kthyer në repart.

“Unë asnjë çarçaf nuk e kam vendosë në kantë, vetëm e kam marrë me vete dhe e kam dërguar në lajtore. Asnjë çarçaf nuk e kam hedhur në të dhe kur kam shkuar aty, asnjë se kam prekë, vetëm i kam derdhë të gjitha në tokë”, deklaroi ai.

Pastruesi thotë se u kthye me shpejtësi në lavanderi, për t’u njoftuar nga një motër se është ndaluar makina e pastrimit dhe se një punëtore, të cilës nuk ia di emrin, ka nisur t’i nxjerrë çarçafët duke i shkundur, kur edhe kanë nisur të bien në tokë copëzat e trupit të fetusit.

Krahas deklarimeve të mjekut kryesor që ka kryer operacionin, që deklaron se dhoma e morgut funksionon njësoj edhe për frytet e vdekura, dhe se nuk lejohet të tërhiqen trupat e pajetë pas orës 19:00, infermierja deklaroi se trupin e pajetë e kishte vendosur në një çarçaf mbi të cilin me marker të zi kishte shkruar emrin e nënës së fetusit.

“… gjithmonë ne mamitë e presim beben. E mora beben dhe u ngjita lartë në repartin tim, në sallën e lindjes e peshova beben, e mata gjatësinë, e shënova në libër peshën, orën… pastaj e kam mbështjellë me material që nuk ka qenë çarçaf, por ka qenë material që e improvizojmë vet dhe me një marker të zi, mbi çarçaf e kam shkruar emrin e pacientes me shkronja të mëdha dhe e kam vendosur mbi frizat e placentave, që i kemi vendosur gjithmonë. E kam hapur dritaren, për shkak të kundërmimit, e njoftova kolegen F.G., meqë së bashku i kryejmë këto procedura…” deklaroi infermierja e dyshuar në rast.

Infermierja E.A. thotë se dy ditë më vonë kishte marrë vesh se çfarë ka ndodhur, pasi ishte larguar nga institucioni me të dorëzuar ndërrimin e punës te koleget.

Të pandehurve u është dhënë afati kohor prej 30-ditësh, për të kundërshtuar provat e paraqitura në aktakuzën të cilën e ka siguruar IndeksOnline.

Related posts

Seanca të dy komisioneve kuvendore

Gazeta Max

Kapitulli i 28 i negociatave me BE, Mbrojtja e konsumatorit dhe shëndetit

Gazeta Max

Moti sot me vranësira dhe i ftohtë

Gazeta Max