Maqedonia po i përmbush proceset reformuese dhe po jep kontribut serioz në zhvillimin rajonal, theksoi zëvendëskryeministri Aleksandar Nikolloski në takimin me Medlin Noks, drejtoreshë për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.
Siç theksoi Nikolloski, marrëdhëniet politike dhe ekonomike ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor janë duke u përmirësuar vazhdimisht, ndërsa Maqedonia ka një rol të rëndësishëm për zhvillimin e marrëdhënieve të tilla.
“Masat dhe politikat e zbatuara nga Qeveria kanë për qëllim zvogëlimin e barrierave tregtare, rritjen e tregtisë dhe konkurrencën e ekonomive në vendet e Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.
Zëvendëskryeministri Nikolloski edhe një herë theksoi miqësinë strategjike ndërmjet Maqedonisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe mbështetjen që i jepet vendit për zhvillimin e saj.
Siç kumtuan nga Ministria e Transporteve, në takim është biseduar edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, mundësinë e investimeve të reja dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në sektorë me interes të përbashkët.
Maqedonia dhe Britania e Madhe ruajnë marrëdhënie të mira miqësore, u pajtuan të dyja palët, me përkushtim për të forcuar një partneritet të tillë përmes proceseve dhe projekteve konkrete.