Pas përllogaritjes së fundit të sindikatave për rritjen e shpenzimeve të jetës, LSDM-ja përsëriti thirrjen që autoritetet të pranojnë masat e propozuara nga socialdemokratët për rritjen e pagës minimale dhe heqjen e TVSH-së për ushqimet.
“Është koha që Qeveria të ndalet me PR dhe llogaritjet dhe përfundimisht të pranojë masat që LSDM ka propozuar që nga dita e parë: – rritjen e pagës minimale në 500 euro; – heqjen e TVSH-së për ushqimet. Këto janë hapa realë, konkret që do të sjellin ndihmë të vërtetë dhe do të përmirësojnë standardin e jetesës së qytetarëve. Çdo gjë tjetër është manipulim në kurriz të njerëzve që mezi mbijetojnë”, tha Kristina Kostova– nënkryetare e LSDM-së.
Kryeministri Hristijan Mickoski, megjithatë, thotë se po përgatiten masa për të ulur çmimet e produkteve, por nuk zbuloi se çfarë do të përfshijnë dhe kur do të hynin në fuqi.
“Jemi të gjithë në të njëjtën anë, si qytetarët ashtu edhe Qeveria dhe shumë shpejt do të dalim me masa që do të mbrojnë interesat e qytetarëve. Shumë shpejt, kur të jenë gati, do të dalim para opinionit”, shtoi Hristijan Mickoski – kryeministër.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) thotë se rritja e shpenzimeve të jetesës vjen pas përfundimit të masave të Qeverisë për përmirësimin e fuqisë blerëse. Ata kërkojnë që Qeveria të vazhdojë me masa dhe mekanizma për të ulur çmimet e produkteve bazë ushqimore me qëllim mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve, si dhe rritjen e pagave.
“Nga të dhënat mbi shportën minimale sindikale, është e qartë se pas përfundimit të masave aktive qeveritare, çmimet e produkteve ushqimore bazë janë rritur, që ndikoi në rritjen e shportës. Kjo tregon se vlera e shportës minimale sindikale është tregues i vërtetë i vlefshmërisë së politikave qeveritare, pasi u rrit me 2,637.00 denarë në tre muaj, ose 4.20%, ndërsa për ushqimin dhe pijet në tre muaj pati rritje prej 2,202.00 denarë, ose 10.25%”, tha Svetllana Dimoski– LSM.
Kryeministri deklaroi dje se shporta konsumatore duhet të ndahet në pesë segmente, përkatësisht, një shportë për një person të vetëm, një shportë për çift të ri të martuar, për një familje me tre dhe katër anëtarë dhe shportë për pensionistët, sepse sipas tij, jo të gjitha kategoritë e qytetarëve shpenzojnë njësoj.