GazetaMax
Lajme

Nga Prokuror i Posaçëm që hetonte Trump dhe Hashim Thaçin, tashmë i hetuar për vepra penale

Një agjenci federale ka nisur zyrtarisht hetime për ish-Prokurorin e Posaçëm, Jack Smith, i cili i ka mbikëqyrur dy hetime penale kundër presidentit amerikan, Donald Trump, pas mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë.

Zyra e Këshilltarit të Posaçëm ka konfirmuar për agjenci të lajmeve, përfshirë Reuters dhe Associated Press, se është duke hetuar nëse Smith e ka shkelur ligjin i cili ua ndalon punëtorëve federalë të përdorin pozitën e tyre për aktivitete politike.

Zyra e ka marrë këtë vendim pas një kërkese për hetime të nisur nga senatori amerikan, Tom Cotton, republikan nga Arkansasi.

Zyra e Këshilltarit të Posaçëm është agjenci federale e pavarur, e cila heton sjelljet e punëtorëve federalë, mirëpo nuk ka autoritetet për të ngritur akuza penale. Ajo është agjenci e ndarë prej Zyrës së Prokurorit, që paraprakisht është mbikëqyrur nga Smith, i cili është emëruar në atë pozitë nga Departamenti amerikan i Drejtësisë për t’i ndjekur çështjet penale.

Smith ka dhënë dorëheqje nga ajo pozitë në janar, pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale.

Më herët gjatë javës, Cotton e ka akuzuar Smithin që i ka ngritur çështjet penale kundër Trumpit me qëllim të dëmtimit të fushatës së tij presidenciale. Ai e ka quajtur Smithin “figurë politike që maskohet si zyrtar publik”.

“Për këtë arsye kam kërkuar që të hetohet kjo ndërhyrje e pashembullt në zgjedhjet e vitit 2024”, ka shkruar Cotton në X – dikur Twitter.

Smith i ka ngritur dy raste penale kundër Trumpit, në njërën e ka akuzuar për mbajtje të paligjshme të materialeve të klasifikuara, ndërsa rasti tjetër kishte të bënte me përpjekjet e supozuara të Trumpit për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Më vonë, më 6 janar 2021, në ndërtesën e Kongresit patën shpërthyer trazirat.

Asnjëri rast nuk ka përfunduar në proces të gjykimit, për një mori arsyesh. Njëra ndër to ka qenë edhe vendimi i Gjykatës Supreme, me shumicë konservatorësh, që u ka garantuar ish-presidentëve imunitet nga ndjekja penale.

Smith i ka anuluar të dyja rastet pasi Trump i ka fituar zgjedhjet, duke e cituar një politikë të Departamentit amerikan të Drejtësisë që nuk lejon ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.

Ai e ka publikuar një raport në janar, duke thënë se dëshmitë që i ka mbledhur janë të mjaftueshme për ta dërguar Trumpin në gjyq.

Presidenti Trump mohon çdo keqbërje dhe i ka akuzuar prokurorët për tentime të motivuara politikisht, për t’ia dëmtuar fushatën.

Para se të merrej me hetimin ndaj Trumpit, Smith e ka ngritur aktakuzën ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat i kanë hedhur poshtë të katërtit.

Gjykata Speciale i heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Kjo gjykatë – me gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë – është e themeluar me ligje të Kosovës në vitin 2015, por funksionon në Holandë. Ajo financohet kryesisht nga Bashkimi Evropian, me kontribute shtesë nga disa shtete të tjera, si Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, Norvegjia, Zvicra dhe Turqia./REL/

Related posts

Shumë zjarre brenda muajit në Prishtinë, zjarrfikësit s’kanë kapacitete të ndihmojë të gjithë

Gazeta Max

Dorëzohet çmimi shtetëror “11 Tetori”

Gazeta Max

Bujar Osmani me debat publik për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030

Gazeta Max