GazetaMax
Lajme

Elisa Spiropali reagon pas ngjarjes në Kumanovë: Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport as në shoqëri – Shqipëria mbetet promotore e bashkëjetesës ndëretnike

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar me tone të ashpra ndaj ngjarjes së rëndë të ndodhur dje në Kumanovë, ku gjatë një ndeshjeje basketbolli janë dëgjuar thirrje ekstremisht fyese dhe raciste kundër shqiptarëve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali e ka cilësuar këtë ngjarje si të papranueshme dhe ka kërkuar reagim të menjëhershëm dhe të qartë institucional nga autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut.

“Ngjarja e djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë”, thekson Spiropali.

Ajo ka dënuar ashpër gjuhën e urrejtjes, e cila nxit përçarje, konflikt etnik dhe racizëm. Sipas saj, sporti duhet të jetë një hapësirë e frymës së bashkëpunimit dhe të lojës së ndershme, e jo një mjet për përhapjen e intolerancës.

“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”, shkruan Spiropali, duke kërkuar që autoritetet maqedonase të marrin masa konkrete për të ndaluar dhe dënuar aktet e tilla diskriminuese.

Ajo gjithashtu ka vlerësuar reagimin e institucioneve të Maqedonisë së Veriut deri më tani, por ka kërkuar që zyrtarët më të lartë të shtetit të shfaqin një reagim më të fortë dhe të qartë publik.

“Vlerësoj reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më të fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik,” tha ajo, duke nënvizuar se respekti i ndërsjellë dhe bashkëjetesa ndëretnike janë vlera kyçe në rrugën drejt integrimit europian.

Spiropali, e cila tashmë mban pozicionin e lartë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, theksoi se sjellja korrekte në tribuna, në institucione dhe në shoqëri është një pasqyrë e qartë e vizionit për të ardhmen.

“Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit”, përfundon ajo.

Në përfundim të reagimit të saj, Elisa Spiropali theksoi edhe njëherë përkushtimin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve për të promovuar një bashkëjetesë model, larg çdo forme ndasie, urrejtjeje apo nacionalizmi të rremë:
“Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje.”

Reagimi i Kryeparlamentares shqiptare pritet të gjejë jehonë edhe në qarqet ndërkombëtare, duke shtuar presionin për adresimin institucional të akteve diskriminuese dhe për nxitjen e një fryme më të fortë bashkëpunimi ndëretnik në rajon.

Related posts

Rafajlovski: Punëdhënësi më i madh në vend, është shteti

Gazeta Max

Ali Ahmeti viziton degën e BDI-së në Strugë: Mesazhe për unitet dhe vazhdim të vizionit politik

Gazeta Max

Viti 2022, viti i kaosit në transportimn publik në Shkup

Gazeta Max