GazetaMax
Lajme

Dodikut i hiqet mandati si president i Republikës Srspka

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Bosnjë e Hercegovinë ka marrë vendim unanim për t’ia hequr mandatin Millorad Dodikut si president i entitetit të Republikës Sërpska.

Ky vendim vjen pasi Dodiku është dënuar me një vit burg dhe është ndaluar për gjashtë vjet të ushtrojë funksionin e presidentit, vendim ky që ka ndikuar drejtpërdrejt në legjitimitetin e tij për të vazhduar mandatin.

Duke u përgjigjur për vendimin e KQZ-së, Dodiku u shpreh në terma fyes: “Një tjetër copë m*** nga Sarajeva”.

Mbrojtja e Dodikut ka të drejtë të apelojë vendimin në Departamentin e Apelit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës, e cila trajton ankesat lidhur me proceset zgjedhore. Ankesa mund të bëhet brenda dy ditëve nga pranimi i vendimit. Pas përfundimit të procesit të ankesës, vendimi do të bëhet përfundimtar.

Pas hyrjes në fuqi të vendimit, KQZ-ja pritet të marrë një vendim për shpalljen dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Republikën Sërpska.

Avokati i Dodikut, Goran Bubiq, ka paralajmëruar se do të kërkojë një masë të përkohshme për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit dhe do të bëjë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjës.

Në përpjekje për të ruajtur pushtetin, Dodik dhe partia e tij SNSD kanë bërë thirrje për formimin e një “qeverie të unitetit kombëtar” duke ftuar në bashkëpunim edhe partitë opozitare të Republikës Sërpska. Megjithatë, opozita aktualisht nuk është e gatshme të bashkëpunojë, pas fyerjeve të rënda që Dodik u ka bërë më herët, duke i quajtur “mercenarë të huaj” dhe “shërbëtorë të Sarajevës”.

Deri më tani, vetëm kryetari i Partisë Demokratike Progresive (PDP), Drashko Stanivukoviq, nuk ka dalë me një qëndrim të qartë lidhur me ftesën e SNSD-së. Vendimi i PDP-së pritet pas mbledhjes së Kryesisë që do të mbahet nesër.

Ndërkohë, Qeveria e Republikës Sërpska është mbledhur dje dhe ka miratuar tetë konkluzione, përfshirë refuzimin e vendimit të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe thirrjen për unitet politik rreth Dodikut.

Gjithashtu pritet të thirret edhe një seancë e Kuvendit Kombëtar të Republikës Sërpska për të diskutuar situatën e krijuar.

Related posts

Ahmeti rrëfehet për n’Demos: Në 1984 u largova në Perendim por me një betim që do kthehem përsëri

Gazeta Max

Rakiq paralajmëron se do kërkojë takim të ri me Vuçiqin për t’i afruar qëndrimet

Gazeta Max

Kroaci, zjarr i madh pyjor në bregdetin e Adriatikut, pushuesit vrapojnë në panik

Gazeta Max