Në frymën e përgjegjësisë shoqërore dhe kujdesit të vazhdueshëm për shëndetin e qytetarëve, MEPSO, nën drejtimin e drejtorit Burim Latifi, ka realizuar një akt konkret dhe me vlerë të veçantë humane: një donacion prej 2.767.500 denarësh për Spitalin Special për Gjinekologji dhe Obstetrikë “Nëna Terezë” në komunën e Çairit – Shkup.
Këto mjete janë përdorur për blerjen e një aparati modern të ultrazërit (eko), që do të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve shëndetësore për gratë shtatzëna dhe pacientet me probleme gjinekologjike. Aparatura e re do të mundësojë diagnostikim më të shpejtë, më të saktë dhe më efikas, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e standardit të kujdesit mjekësor për gratë dhe nënat e ardhshme.
Pas një ndërprerjeje të përkohshme të donacioneve gjatë vitit të kaluar për shkak të kufizimeve administrative, MEPSO, nën menaxhimin e drejtorit Burim Latifi, ka rifilluar angazhimin aktiv në përkrahje të sistemit shëndetësor. Siç u theksua edhe gjatë dorëzimit të aparaturës, për kompaninë shtetërore MEPSO, përgjegjësia shoqërore nuk është vetëm një koncept në letër, por një angazhim real dhe konkret që synon përmirësimin e jetës së qytetarëve.
Drejtori i përgjithshëm i MEPSO-s, Burim Latifi, gjatë fjalës së tij, theksoi rëndësinë e këtij donacioni dhe shprehu gatishmërinë që MEPSO të vazhdojë të mbështesë sektorin e shëndetësisë dhe iniciativat që përmirësojnë jetën e qytetarëve. “Kujdesi për shëndetin publik është detyrë dhe nder për ne si ndërmarrje publike. Ky donacion është një dëshmi e këtij përkushtimi”, tha ai.
Ky donacion është shembull i vërtetë i bashkëpunimit ndërmjet sektorit shtetëror dhe institucioneve shëndetësore, dhe dëshmon se përmes veprimeve konkrete, mund të ndërtojmë një shoqëri më të drejtë, më të barabartë dhe më të shëndetshme për të gjithë.