GazetaMax
Lajme

Gana në zi kombëtare/ Dy ministra dhe gjashtë persona të tjerë humbin jetën në një aksident ajror

Dy ministra të qeverisë së Ganë, Afrikë, ministri i Mbrojtjes Edward Omane Boamah dhe ministri i Mjedisit, Shkencës dhe Teknologjisë Ibrahim Murtala Muhammed humbën jetën në një aksident ajror ushtarak të ndodhur në rajonin qendror të Ashanti-t. Lajmi u konfirmua nga zëdhënës i qeverisë, i cili tha se në përplasjen fatale të helikopterit u vranë gjithsej tetë persona.

Shefi i kabinetit të presidencës, Julius Debrah, e përshkroi ngjarjen si një “tragjedi kombëtare”.

Sipas Forcave të Armatosura të Ganës, helikopteri ushtarak i tipit Z9, që transportonte tre anëtarë ekuipazhi dhe pesë pasagjerë, ishte zhdukur nga radarët pasi ishte nisur nga kryeqyteti Akra në orën 09:12 me orën lokale, me destinacion qytetin Obuasi. Delegacioni po udhëtonte për të marrë pjesë në një aktivitet kundër minierave të paligjshme, një problem madhor mjedisor në vend.

Trupat e viktimave u gjetën në vendin e ngjarjes dhe janë transferuar drejt Akras me avion ushtarak, sipas njoftimit të ushtrisë. Në rrjetet sociale janë shpërndarë pamje që pretendohet të tregojnë mbetjet e djegura të helikopterit.

Presidenti John Dramani Mahama ka pezulluar të gjitha aktivitetet publike të planifikuara për pjesën e mbetur të javës dhe ka shpallur tre ditë zie kombëtare duke nisur nga dita e enjte. Me urdhër të shefit të kabinetit, flamujt kombëtarë do të ulen në gjysmështizë në të gjithë vendin.

Në emër të presidentit Mahama dhe qeverisë, Debrah shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, duke përfshirë edhe “anëtarët e shërbimit që dhanë jetën në shërbim të atdheut”.

Shkaku i aksidentit nuk është bërë ende i ditur, ndërsa autoritetet ushtarake kanë nisur një hetim zyrtar.

Related posts

Kina dhe Rusia, gati për stërvitje të përbashkëta ushtarake detare

Gazeta Max

Aksident në Shkup, humb jetën një çiklist

Gazeta Max

Shqiptarët tani e kanë pushtetin, por nuk e kanë fuqinë e përmirësimit të jetesës!

Gazeta Max