Enver Bajraktari, trupi i të cilit u gjet i groposur më 4 gusht në fshatin Baicë të Lipjanit, rezulton të jetë vrarë me mjete të forta përpara se të varrosej. Këtë e kanë konfirmuar burime pranë Prokurorisë në Prishtinë, e cila ka bërë të ditur se është kryer autopsia dhe se hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij krimi të rëndë po vijojnë me intensitet.
“Është bërë identifikimi i plotë dhe ishte Enver Bajraktari, është kryer autopsia dhe janë në proces intensiv hetimet, por detaje më të hollësishme nuk mund të japim në këtë fazë”, thuhet në njoftimin zyrtar të prokurorisë.
Trupi i viktimës u gjet në një arë të mbjellë me misër, rreth një kilometër larg shtëpisë së tij. Sipas raportimeve të mediave në Kosovë, Bajraktari ishte tërhequr zvarrë dhe më pas ishte groposur në një thellësi prej dy metrash, gjë që shton dyshimet për një vrasje të planifikuar. Shkaqet dhe autori i krimit mbeten ende të paqarta, ndërsa familja dhe banorët e zonës kërkojnë zbardhjen sa më të shpejtë të ngjarjes.