GazetaMax
Lajme

Tre urdhrat e Kushtetueses

Gjykata Kushtetuese e ka publikuar pjesën kryesore të aktgjykimit të ri për seancën konstituive, duke mos i dhënë të drejtë lëvizjes Vetëvendosje për votimin e fshehtë për kryeparlamentarin. Në njoftim janë publikuar edhe tre urdhra për kryesuesin e seancës dhe për deputetët.

Gjykata Kushtetuese nuk i ka dhënë të drejtë partisë fituese të zgjedhjeve nacionale në asnjërën prej dy pikave kontestuese me partitë oponente: Për votimin e fshehtë për kryeparlamentarin dhe për përsëritjen në pakufi të propozimit të të njëjtit deputet për këtë post.

Në njoftimin për aktgjykim, që e ka publikuar të premten, Kushtetuesja i ka dhënë tre urdhra për deputetët e rinj për përmbylljen e seancës konstituive të Kuvendit, e cila ka nisur prej gati katër muajsh.

I pari është për kryesuesin e seancës, për ta rikthyer votimin e hapur.

“TË URDHËROJË, me 6 (gjashtë) vota për dhe 1 (një) kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ta ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për ta propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë;”, thuhet në këtë pikë.

Urdhri i dytë është për të gjithë ligjvënësit. Ata detyrohen që gjatë procedurës së zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit të jenë të pranishëm dhe të votojnë.

Edhe i treti është për të gjithë. Kushtetuesja i obligon që brenda 30 ditëve nga dita e hyrjes në fuqi të Aktgjykimit, ta zgjedhin kryeparlamentarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, me të cilin hap konstituohet legjislatura e re.

Në këtë aktgjykim janë dhënë edhe dy konstatime.

Gjyqtarët njëzëri e kanë nxjerrë përfundimin se ligjvënësit nuk vepruan konform aktgjykimit paraprak.

“TË KONSTATOJË, njëzëri, që deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025, të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”, thuhet në vendim të Kushtetueses.

Konstatimi tjetër është nxjerrë për kryesuesin. Gjyqtarët kanë theksuar se veprimet e tij janë në papajtueshmëri edhe me aktgjykimin, e edhe me Kushtetutën.

Gjykata nuk e ka publikuar aktgjykimin e plotë në lidhje me trajtimin e kërkesave të ndara që tek ajo i kanë adresuar PDK-ja e LDK-ja.

E, bazuar në njoftimin e Kushtetueses, derisa aktgjykimi të shpallet në Gazetën Zyrtare, do të mbetet në fuqi masa e përkohshme me të cilën deputetëve u ndalohet të marrin vendime a veprime për ta konstituuar Kuvendin.

E, pas publikimit, ligjvënësit do t’i kenë në dispozicion edhe 30 ditë për ta përmbyllur seancën konstituive.

As në këtë aktgjykim, gjykata nuk i ka saktësuar pasojat kushtetuese nga moskonstituimi i Kuvendit brenda kësaj periudhe./Koha.net

Related posts

Senatorët amerikanë të shqetësuar me ndikimin kinez në Ballkan

Gazeta Max

Një fëmijë gjashtë vjeçar mbytet në lumin Shkumbin në Tetovë

Gazeta Max

Lista europiane/ Maqedonia e Veriut e 42 nga shkalla e vdekshmërisë, Serbia e para e ndiqet nga Rumania, Bullgaria…

Gazeta Max