Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka bërë të ditur se në këtë institucion janë realizuar avancime dhe punësime të reja për qindra shqiptarë, si pjesë e procesit për përfaqësim të drejtë në administratën shtetërore.
Sipas tij, bëhet fjalë për 147 avancime me arsim të lartë, 111 avancime me shkollë të mesme dhe 38 punësime të reja. Iseni theksoi se këto vendime janë më shumë se statistika – ato përfaqësojnë një hap konkret drejt barazisë dhe respektit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
“Të gjithë këta shqiptarë, që për vite me radhë kanë qenë të lënë në harresë, të nënvlerësuar dhe të diskriminuar në MPB, sot po marrin vendin që u takon me meritë. Ky nuk është thjesht një numër, por fytyra e re e përfaqësimit të drejtë. Kjo është fitorja e meritës ndaj padrejtësisë, kthesa që kemi pritur dhe që po e bëjmë realitet bashkë me qytetarët”, u shpreh Iseni.
Ai theksoi se procesi nuk do të ndalet deri sa çdo padrejtësi e së kaluarës të korrigjohet. “Ne nuk premtojmë për sy e faqe, por raportojmë me vepra. Çdo e padrejtë e djeshme do të ketë një korrigjim të ndershëm sot,” përfundoi ai.
Këto zhvillime shihen si një hap i rëndësishëm drejt përfaqësimit të barabartë të shqiptarëve në administratën publike dhe si pjesë e një procesi më të gjerë për forcimin e drejtësisë dhe dinjitetit në institucionet shtetërore.