Shpallja e Zgjedhjeve lokale ka rritur shpresat e analistëve politik dhe njohësve të mirë të këtyre çështjeve, se partitë politike, fillimisht i kanë bërë zgjidhjet adekuate të kandidatëve për të garuar për numrin një të Komunës, ndërsa poashtu shpresojnë se në platformat e tyre për Komunën ku garojnë, ti prekin çështjet thelbësore, që janë jetike për qytetarët.
Profesori universitar, Ariton Rama për TVM2, potencon se partitë politike duhet të prezantojnë projekte konkrete që përkojnë me interesin e qytetarëve, siç janë edhe parkingjet nëntokësore që janë mëse të nevojshme në çdo Komunë të vendit.
“Në mënyrë simbolike po manifestoj një koncept i cili ka të bëjë me vetëqeverisjen lokale, siç janë vetura, përditshmëria, mendoj se është koha që hartimi i politikave të vetëqeverisjes lokale të merren seriozisht, si një percepcion jete. Prandaj është koha të realizohet një seriozitet më i lartë i vetëdijes dhe i angazhimit politik, sidomos në vetëqeverisjen lokale, pra është koha reale për të menduar më shumë mbi parkingjet, se si duhet shfrytëzuar, dhe si duhet menaxhuar. Është koha që të gjitha palët, e të gjitha strukturat politike, e partiake, por edhe kandidaturat e tyre, të orientohen më shumë në atë që ka të bëj mbi të mirën publike, dhe interesin e përgjithshëm, dhe njëkohësishtë mbi kërkesat reale të qytetarëve, të cilët ballafaqohen me përditshmërinë jetësore” – tha Profesori universitar, Ariton Rama.
Profesori Rama ka thekësuar se ballafaqimit politik i kandidatëve, më shumë është orientuar në ballafaqimin politik të tyre, sesa në problemet reale të qytetarëve.
“Kandidaturat të cilat tanimë janë të shpallura nga partitë politike, më shumë orientohen nga serioziteti dhe ballafaqimi politik i tyre, sesa tek tematikat reale të vetëqeverisjes lokale. Mendoj se këtu duhet të jetë një prizmë e nënvizuar që gjatë afrimit të fushatës duhet më shumë të orientohet në idetë më konkrete mbi bazën e politikave lokale dhe jo nacionale. Kjo do të ishte edhe natyra reale e garës së vetëqeverisjes lokale, e cila tanimë ka marrë një dinamik tjetër politike, kryesisht mbi ballafaqimin e forcave politike dhe partiake, sesa kreativitetin e idesë së tyre për zbatimin real të vetëqeverisjes lokale. Mendoj se kjo do të ishte edhe qasja më serioze, më e duhura, dhe më e nevojshme për qytetarët” – deklaroi Profesori universitar, Ariton Rama.
Rama theksoi se kandidatët dhe partitë duhet ta orientojnë debatin në politikat lokale, dhe në problemet siç janë: shfrytëzimi me menaxhimin e pronës dhe hapësirës publike, të flitet më shumë për parkingjet, ndiçimin publik, shtigjet për biçikleta, lufta ndaj deponive të egra, por edhe të flasim për krijimin e një mentaliteti veprues.