Kryetari i Degës së Aleancës për Shqiptarët në Strugë, Lulzim Nasufi, ka njoftuar se do të ngrejë aktivitetin e tij politik, në shenjë mospranimi të vendimit të strukturave qendrore të partisë për të mos e kandiduar atë për kryetar të Komunës së Strugës.
Në një deklaratë publike, Nasufi kujtoi se gjatë viteve në krye të degës ka qenë një zë kritik, konstruktiv dhe i faktuar, duke ngritur e denoncuar çdo shqetësim të qytetarëve dhe duke ofruar gjithmonë modele zgjidhjesh. Ai tha se në të kaluarën i është premtuar, jo vetëm personalisht por edhe mërgimtarëve e bashkëpunëtorëve të tij, se në vitin 2025 do të ishte kandidat për kryetar komune në kuadër të Aleancës për Shqiptarët.
Sipas tij, ky premtim nuk u respektua, ndryshe nga dy komunat e tjera ku u konfirmuan kryetarët e degëve si kandidatë. “Në Strugë ndodhi e kundërta, nuk u respektua kryetari i degës. Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj meje, por edhe përbuzje ndaj mërgimtarëve dhe aktivistëve që e kanë mbajtur gjallë frymën e Aleancës në kohët më të vështira,” theksoi Nasufi.
Ai bëri të qartë se vendimi për ngrirjen e aktivitetit politik nuk është dorëzim, por një qëndrim parimor për të mos legjitimuar një proces që, sipas tij, ka përjashtuar zërin e shumicës së bazës së partisë në Strugë. “Ky është një hap i ndërgjegjshëm për të dëshmuar se me idealet dhe parimet e sinqeritetit, ndershmërisë, besimit, dinjitetit dhe integritetit njerëzor nuk bëj kompromise,” shtoi ai.
Nasufi u zotua se do të vazhdojë të jetë pranë qytetarëve të Strugës, duke mbetur një zë kritik ndaj çdo keqmenaxhimi, krimi, politizimi apo uzurpimi. Ai la të hapur mundësinë për hapa të rinj politikë dhe krijimin e një alternative të re për të ardhmen e Strugës, duke përkrahur çdo ndryshim të mirëfilltë që është në dobi të qytetarëve.