Në skenën politike të Komunës së Sarajit po shfaqen zhvillime të reja interesante në prag të zgjedhjeve lokale. Deputeti i zonës së parë zgjedhore nga radhët e BDI-së dhe ish-kryetari i kësaj komune, Blerim Bexheti, duket se nuk e ka “pranuar” kandidaturën e Blerant Ramadanit nga Aleanca për Shqiptarët – krahu i Taravarit.
Indikacionet për këtë qëndrim të Bexhetit vijnë nga fakti se deri më tani ai nuk është parë në asnjë aktivitet publik, fotografi apo takim me qytetarët ku të jetë i pranishëm edhe Blerant Ramadani. Mungesa e bashkëprezencës në terren apo në evente politike është interpretuar nga vëzhguesit si një distancim i qëllimshëm i Bexhetit nga kandidati i propozuar nga Aleanca për Shqiptarët.
Blerim Bexheti, i cili ka një përvojë të gjatë si drejtues komunal dhe është një nga figurat kyçe të BDI-së në Saraj, shihet si një faktor me ndikim të madh te elektorati lokal. Mospërputhja e tij me kandidatin Ramadani mund të ketë pasoja të rëndësishme në fushatën zgjedhore, duke krijuar një hendek politik mes dy subjekteve që aktualisht bashkëqeverisin në nivel qendror.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur partitë shqiptare po pozicionohen për betejën zgjedhore në komunat kryesore, dhe uniteti brenda koalicioneve shihet si çelësi për suksesin në garën e ardhshme.
Në Saraj, një komunë me rëndësi strategjike dhe elektorat të gjerë shqiptar, çdo lëvizje politike po vëzhgohet me kujdes.