Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, prezantoi para një salle të mbushur me sportistë dhe punonjës të sportit vizionin dhe programin e tij për zhvillimin e sportit në komunë.
Si mjek dhe diplomat, Osmani theksoi rëndësinë e sportit si për shëndetin e të rinjve, ashtu edhe për promovimin e komunës dhe shtetit. Ai prezantoi një seri projektesh dhe iniciativash që synojnë të përmirësojnë infrastrukturën, të mbështesin talentet e reja dhe të zgjeronin mundësitë sportive për të gjitha grupmoshat.
Projektet kryesore të prezantuara nga Osmani përfshijnë:
Revitalizimin e sallave dhe fushave ekzistuese sportive: “Enver Idrizi”, “Vasil Glavinov”, “Imri Elezi” dhe “Liria”.
Legalizimin dhe rikonstruksionin e “Shaban Tërstena” dhe transformimin e “Partizanit” në qendër sportive multifunksionale “Shaban Sejdiu”.
Ndërtimin e një salle të re për shkollën “Aziz Saliu”, e cila deri tani nuk ka pasur sallë sportive.
Krijimin e fushave të reja të hapura sportive në Gazi Babë, Serovë dhe F. Topanë, si dhe rregullimin e oborreve të shkollave fillore me përmbajtje sportive dhe rekreative.
Bursa dhe mbështetje financiare për sportistët e rinj me talent dhe klubet sportive.
Themelimin e klubeve të reja për gjimnastikë, atletikë dhe xhudo, sporte që mungojnë aktualisht në Çair.
Specializimin e shkollave sipas sporteve, duke i dhënë secilës shkollë fokus të veçantë: “Liria” – mundje; “Shaban Tërstena” – basketboll; “7 Marsi” – hendboll; “Ismail Qemali” – volejboll; “Imri Elezi” – karate; Qendra multifunksionale “Partizani” – gjimnastikë, boks, atletikë, xhudo, mundje.
Organizimin e “Javës së Sportit”, ligave sportive shkollore, turneve dhe një olimpiadë të vogël komunale.
Programe sportive të qasshme për personat me aftësi të kufizuara, gratë dhe të moshuarit.
Mbështetje për klubet sportive në aplikimin për fonde europiane, me trajnime, asistencë teknike dhe ndërmjetësim për partneritete ndërkombëtare.
Krijimin e një qendre kërkimore për sportin, që integron shkencën, edukimin fizik dhe shëndetin, si dhe trajnime për alpinizëm, kamping dhe aktivitete në natyrë.
“Faleminderit të gjithëve që erdhën në prezantim dhe dhanë kontribut në këtë program-propozim. Premtoj punë të pakompromis për kushte më të mira për sportistët dhe realizim të plotë të asaj që është premtuar,” deklaroi Osmani.