GazetaMax
Lajme

Agron Dedivanaj nga sheshi Gjergj Kastrioti Skënderbeu: “Kjo tokë është e jona, ky flamur është i yni, ky komb nuk përkulet kurrë”

Në kuadër të aktiviteteve të shumta të organizuara nga Komuna e Tuzit, mbrëmë në sheshin Gjergj Kastrioti Skenderbeu u organizua ” Nata e Diasporës”

Të pranishmëve ju drejtua Kryetari i Shoqatës ” Jehona e Malësisë” në Miçigan, Agron Dedivanaj.

Dedivanaj pasi përshëndeti të pranishmit theksoi se eshtë kënaqësi dhe privilegj i rrallë të jemi të mbledhur sonte, në këtë ambient të mrekullueshëm, në zemrën e Malësisë, në Pazarin e Verës, ku gjallëria, gëzimi dhe bashkimi kombëtar shpalosen në formën më të denjë.

Agron Dedivanaj nga sheshi ku qëndron stoik heroi kombëtarë Gjergj Kastrioti Skenderbeu, dërgoi dhe një porosi për ata për ata që mendojnë të nënshtrojnë ose të heshtin shqiptarët.

“Nuk ka armik, nuk ka sfidë, nuk ka kërcënim që mund të përkulë një komb që jeton me dinjitet, që mbron tokën dhe nderin e vet. Askush nuk guxon të prekë tokën e Komunës së Tuzit, askush nuk mund të errësojë dritën e Malësisë.

Dhe për ata që mendojnë të nënshtrojnë ose të heshtin shqiptarët, përgjigjja jonë është e prerë: mundimet tuaja janë të kota, sepse shqiptarët e bashkuar janë më të fortë se çdo armik, më të fortë se malet, më të fortë se vetë fati!”- tha ndër të tjera Dedivanaj.

Ja fjalimi plotë:

E nderuara Kryesi e Komunës së Tuzit,

Të nderuar përfaqësues të shoqatave atdhetare,

Të nderuar përfaqësues politikë e shoqërorë të popullit tonë,

Të nderuar të pranishëm, zonja dhe zotërinj,

Është kënaqësi dhe privilegj i rrallë të jemi të mbledhur sonte, në këtë ambient të mrekullueshëm, në zemrën e Malësisë, në Pazarin e Verës, ku gjallëria, gëzimi dhe bashkimi kombëtar shpalosen në formën më të denjë.

Zemra më bëhet mal kur shoh kaq shumë bashkombas së bashku, të unifikuar në frymën e traditës, kulturës dhe krenarisë shqiptare.

Në këtë atmosferë festive, më lejoni të përcjell përshëndetjet më të përzemërta nga Shoqata “Jehona e Malësisë” dhe nga komuniteti shqiptar në SHBA, i cili gjithmonë e ka përjetuar Malësinë si një thesar të pavdekshëm të kombit.

Ky shesh i ndritur nga prania e rinisë sonë, tashmë ka marrë një dritë edhe më madhështore falë vendosjes së shtatores së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, kryeheroit të kombit.

Ai qëndron krenar në mesin tonë, si kujtesë e gjallë e guximit, e nderit, e besës dhe e dashurisë për atdheun.

Ashtu siç u bashkuam për ta sjellë atë në tokën e tij, mes popullit të tij, ashtu do të qëndrojmë të bashkuar në çdo nismë dhe përpjekje për zhvillimin e Malësisë dhe të mbarë kombit tonë.

Diaspora shqiptare, në këtë kuadër, është dhe do të mbetet gjithmonë pranë vëllezërve dhe motrave në Malësi.

Nuk ka armik, nuk ka sfidë, nuk ka kërcënim që mund të përkulë një komb që jeton me dinjitet, që mbron tokën dhe nderin e vet.

Askush nuk guxon të prekë tokën e Komunës së Tuzit, askush nuk mund të errësojë dritën e Malësisë.

Dhe për ata që mendojnë të nënshtrojnë ose të heshtin shqiptarët, përgjigjja jonë është e prerë: mundimet tuaja janë të kota, sepse shqiptarët e bashkuar janë më të fortë se çdo armik, më të fortë se malet, më të fortë se vetë fati!

Shekuj me radhë, populli ynë ka dëshmuar se me punë të ndershme, me përkushtim dhe me unitet, mund të tejkalojë çdo vështirësi.

Në këtë mënyrë, lideri ynë politik, me punën, angazhimin dhe përkushtimin e tij konkret, po dëshmohet si më I suksesshmi në të gjithë vendin.

Prandaj keqëdashësit na kanë zili, sepse shqiptari është më I suksesshmi, më I zoti dhe më efikasi nga të gjithë të tjerët.

Ashtu siç shtatorja e Skënderbeut ndriçon çdo ditë mbi këtë shesh, po ashtu do të ndriçojë edhe e ardhmja e Malësisë, besa-besë, e zhvidhuar, krenare dhe e lirë.

Dhe sonte, këtu, në këtë vend të shenjtë, para syve të gjithë botës, ne themi me zë të lartë:

Kjo tokë është e jona, ky flamur është i yni, ky komb nuk përkulet kurrë!

Në unitet, në mbështetje të njëri-tjetrit, gjithmonë bashkë, gjithmonë krenarë, gjithmonë fitimtarë!

Rrnoftë Malësia – zemra e shqiptarizmës!

Rrnoftë Skënderbeu – kryeheroi i kombit!

Rrnoftë kombi shqiptar – i bashkuar, krenar dhe i pathyeshëm!

Faleminderit!

Related posts

Nerashti përfiton projekte të rëndësishme nga Komuna e Tearcës – investime prej 130 mijë eurosh

Gazeta Max

Për tre vite, më shumë ndërtesa janë ndërtuar në në Aerodrom dhe Karposh

Gazeta Max

Blegtori nga Tetova kërkon ndihmë nga Qeveria

Gazeta Max