Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Haraçinës, Daut Beqiri, ka pritur sot në një takim të veçantë mysafirë të nderuar nga Turqia dhe diaspora shqiptare. Në vizitën zyrtare në Haraçinë ishin e pranishme këshilltarja komunale Ejup Sulltan në Turqi, zonja Hidajet Agca, si dhe përfaqësues të Shoqatës “Breza”, përfshirë z. Faruk Badem dhe bashkëpunëtorë të tjerë.
Takimi u zhvillua në një atmosferë vëllazërore dhe u fokusua në diskutimin e ideve, planeve dhe projekteve të përbashkëta, që synojnë të sjellin zhvillim të qëndrueshëm dhe transformim pozitiv për Haraçinën.
“Së bashku biseduam për ide, plane dhe projekte të mundshme dhe të nevojshme për realizim, të cilat do t’i japin një frymë dhe dukje tjetër Haraçinës sonë”, theksoi Beqiri në një postim në rrjetet sociale.
Ai nënvizoi rëndësinë e lidhjes së fortë me diasporën dhe bashkëpunëtorët ndërkombëtarë, duke e cilësuar si një ndjenjë të jashtëzakonshme dhe një motivim të fuqishëm për të punuar me përkushtim në shërbim të qytetarëve.
“Të kesh në krahë bashkëpunëtorë dhe mbështetës, bashkëkombasit e tu që jetojnë larg vendlindjes, është një privilegj, ndjenjë e jashtëzakonshme dhe inkurajim tepër i madh për të bërë sakrifica të panumërta për atdheun tonë të shenjtë”, tha Beqiri.
Ai falënderoi mysafirët për vizitën, respektin dhe mbështetjen që i ofrojnë komunës së Haraçinës dhe banorëve të saj.
Ky takim është pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Daut Beqirit për të ndërtuar partneritete me individë dhe organizata që ndajnë vizionin për një Haraçinë moderne, funksionale dhe të zhvilluar.
“Haraçina do të ecë përpara me bashkëpunim dhe vizion të qartë!”, përfundoi Beqiri.
Takime të tilla dëshmojnë përkushtimin e tij për të përfshirë të gjitha kapacitetet e mundshme – brenda dhe jashtë vendit – në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për komunitetin lokal.