GazetaMax
Lajme

Punë konkrete për qytetarët – Valon Zeqiri në terren për zgjidhjen e problemeve me ujin dhe kanalizimin në Tetovë

Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Ujësjellës dhe Kanalizim” në Komunën e Tetovës, z. Valon Zeqiri, së bashku me kryetarin e komunës, z. Bilall Kasami, kanë zhvilluar sot një vizitë pune në terren, në disa prej lagjeve të qytetit ku aktualisht po realizohen projekte të rëndësishme infrastrukturore.

Vizita nisi në lagjen jashtë Vardarit, një zonë që prej kohësh është përballur me mungesë të ujit të pijshëm. Tashmë, falë ndërhyrjes së institucioneve komunale dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të Ndërmarrjes “Ujësjellës dhe Kanalizim”, ky problem po i afrohet zgjidhjes përfundimtare.

“Çdo ditë jemi në terren, pranë qytetarëve tanë, për të dëgjuar nga afër shqetësimet e tyre dhe për të dhënë zgjidhje konkrete. Nuk bëjmë premtime boshe, por projekte reale që përmirësojnë jetën e përditshme të qytetarëve të Tetovës”, theksoi Valon Zeqiri në deklaratën e tij pas inspektimit të punimeve.

Paralelisht me zgjidhjen e çështjes së ujit të pijshëm, një tjetër projekt i rëndësishëm po përgatitet në lagjen “AJ Zhurçin”, ku shumë shpejt do të nisë ndërtimi i një segmenti kanalizimi atmosferik me gjatësi prej 400 metrash. Ky projekt synon të eliminojë përfundimisht problemet e vazhdueshme me ujërat e shiut dhe përmbytjet që i kanë shqetësuar banorët për vite me radhë.

“Kjo është një dëshmi tjetër se si planifikimi i qëndrueshëm dhe përkushtimi institucional sjellin ndryshime të prekshme për çdo familje. Zgjidhjet vijnë përmes punës dhe jo fjalëve boshe. Çdo lagje, çdo familje dhe çdo qytetar janë prioritet për ne”, shtoi Zeqiri.

Nën udhëheqjen e kryetarit Kasami dhe bashkëpunimit të ngushtë me institucionet lokale, Komuna e Tetovës po kalon përmes një periudhe të thellë transformimi urban dhe infrastrukturor. Projektet për ujësjellësin dhe kanalizimin janë vetëm një pjesë e këtij vizioni zhvillimor që synon të rrisë cilësinë e jetës për të gjithë qytetarët.

Ky angazhim i përditshëm në terren dhe përkushtimi për të punuar me qytetarët e Tetovës është dëshmi e qartë se ndryshimi nuk është vetëm premtim elektoral, por realitet në ndërtim.

Related posts

Një pjesë e pronës së Mijalkovit në hipotekë – a do të ketë sukses shteti ta konfiskojë?

Gazeta Max

Qeveria në seancë do ta shqyrtojë Raportin për shkallën e realizimit të Programit të saj për punë

Gazeta Max

167 shoferë të sanksionuar në Shkup

Gazeta Max