Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidati për kryetar të komunës së Çairit nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti, zhvilloi sot një vizitë në shkollën fillore “Hasan Prishtina” në Çair, me rastin e përgatitjeve për fillimin e vitit të ri shkollor.
Gjatë takimit me stafin drejtues dhe mësimdhënësit, Mexhiti u informua mbi punët që janë realizuar deri tani, mes të cilave pastrimi dhe dezinfektimi i ambienteve, mirëmbajtja e klasave dhe kabineteve, pajisja me mjete didaktike si dhe rregullimi i hapësirave të brendshme dhe oborrit të shkollës.
Ai vlerësoi përkushtimin e mësimdhënësve, duke theksuar se arsimi mbetet prioritet kryesor për të ardhmen e fëmijëve në Çair.
“Shkolla është vendi ku formohet gjenerata e ardhshme, prandaj aty duhet të investojmë më së shumti. Është detyrë e jona të mbështesim mësimdhënësit dhe të krijojmë kushte të denja për nxënësit,” u shpreh Mexhiti.
Ai shtoi se kjo qasje do të vazhdohet në të gjitha shkollat e komunës, me synim që çdo nxënës të ketë kushte të barabarta dhe një ambient të sigurt e të përshtatshëm për mësim dhe zhvillim.