Kandidati i VMRO-DPMNE-së për Komunën e Karposhit, Sotir Lukrovski, sot ka organizuar një mëngjes pune me përfaqësues të mediave në zemër të Karposhit, ku ndau publikisht për herë të parë vizionin e tij për komunën. Ai u shpreh se Karposhi nuk është për të thjesht një zonë administrative apo një njësi zgjedhore, por një vend ku ai ka rrënjët dhe e ndien si shtëpi të tij.
“Këtu jemi fqinj, jemi bashkëqytetarë. Nuk duhet të ketë më ndarje në ‘tanët’ dhe ‘atyret’. Vetëm të bashkuar mund të ndërtojmë një komunë të pastër, të rregulluar dhe të gjelbër – një vend ku respektohet çdo njeri,” theksoi Lukrovski gjatë takimit.
Në një atmosferë të ngrohtë dhe miqësore, ai diskutoi me gazetarët për sfidat aktuale të Karposhit, për nevojën e zhvillimit urban të qëndrueshëm, për përfshirjen e qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe për nevojën për t’i dhënë fund politikës së ndarjeve.
“Vizionin tim nuk e ndërtoj mbi përçarje, por mbi zgjidhje të përbashkëta. Çdo takim është një mundësi për të dëgjuar njerëzit, për të pranuar ide dhe për të ndërtuar politika më të mira. Na duhet rikthimi i besimit te dialogu – me qytetarët, me gazetarët, me secilin që ka dëshirë ta shohë Karposhin duke ecur përpara.”
Lukrovski e konsideron këtë takim si një fillim të mbarë të një faqeje të re për Karposhin, e cila do të ndërtohet mbi bashkëpunim, transparencë dhe respekt të ndërsjellë.
“Për mua, fitorja më e madhe nuk është rezultati në zgjedhje, por besimi i njerëzve se së bashku mund të bëjmë më shumë dhe më mirë për komunën tonë,” u shpreh në fund kandidati.