Nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikoll Camaj, ka reaguar me shqetësim të thellë ndaj ndërprerjes së shfaqjes së filmit në gjuhën shqipe gjatë edicionit të sivjetëm të “Xhada Film Fest”. Në një deklaratë publike, Camaj e ka quajtur këtë incident një akt të papranueshëm dhe thellësisht ofendues për vlerat qytetare dhe për bashkëjetesën ndërkulturore në Mal të Zi.
“E dënoj ashpër këtë akt, pavarësisht se kush qëndron pas organizimit të kësaj ngjarjeje të padëshiruar. Incidente të tilla ofendojnë frymën qytetare të Malit të Zi dhe dëmtojnë idenë e bashkëjetesës mbi të cilën mbështetet shoqëria jonë,” deklaroi Camaj.
Ai shtoi se shteti i Malit të Zi mund të jetë i fortë vetëm nëse mbron çdo gjuhë dhe çdo kulturë që ekziston brenda tij, duke kërkuar reagim të menjëhershëm dhe vendimtar nga institucionet shtetërore, për të dërguar një mesazh të qartë se aktet e urrejtjes nuk kanë vend në këtë shtet.
“Komuniteti shqiptar është pjesë e kësaj shoqërie dhe si i tillë duhet të ketë të drejtë të barabartë për të kontribuar në kulturën dhe të ardhmen e tij,” theksoi ai.
Camaj gjithashtu njoftoi se personalisht do të angazhohet që autorët dhe organizatorët e kësaj ngjarjeje të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës, duke theksuar se vetëm përmes sanksionimit të qartë, Mali i Zi mund të tregojë se nuk toleron urrejtjen dhe dhunën.
Në fund të deklaratës, ai përshëndeti reagimin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, i cili gjithashtu dënoi incidentin, dhe shprehu kënaqësinë që filmi “Lejleku”, i ndërprerë më herët, do të transmetohet sonte në Televizionin e Malit të Zi.