Në një konferencë për media, kandidati i Vlen për komunën e Çairit, Izet Mexhiti, njoftoi për ecurinë e projektit të fasadave energjetike në ndërtesat kolektive në komunë.
Mexhiti theksoi se investimi në efikasitet energjetik është prioritet i Komunës, por theksoi edhe ndarjen e qartë të kostove mes institucioneve dhe banorëve.
“Për çdo ndërtesë në Çair, modeli financiar parasheh që Komuna mbulon 30% të shpenzimeve, ndërsa 70% mbulohet nga vetë banorët,” tha Mexhiti para mediave.
Shembulli konkret i paraqitur ishte një ndërtesë ku tashmë ka përfunduar fasada energjetike sipas këtij modeli. Projekti synon përmirësimin e izolimit termik, uljen e konsumit të energjisë dhe rritjen e cilësisë së jetesës për banorët.
Mexhiti tha gjithashtu se Komuna do të vazhdojë të mbështesë këtë lloj bashkëpunimi me qytetarët, duke ofruar subvencione të drejtpërdrejta në projekte që ndikojnë pozitivisht në ambient dhe ekonomi familjare.