Drejtori i ndërmarrjes shtetërore “Elem Turs”, që menaxhon qendrën turistike Kodra e Diellit, Gani Aliji, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Bajram Rexhepit, të bëra së fundmi në lidhje me këtë qendër të njohur turistike të rajonit.
Në reagimin e tij publik, Aliji theksoi se është krejtësisht e pavërtetë që komuna e Tetovës ka ndonjë kompetencë mbi Ski Qendrën “Kodra e Diellit”, duke akuzuar Rexhepin për manipulim të opinionit publik.
“Ju po tentoni të manipuloni qytetarët me tema që nuk i përkasin komunës. Komuna e Tetovës nuk ka kompetenca mbi Kodrën e Diellit – kjo është çështje e pushtetit qendror,” – deklaroi Aliji.
Ai përkujtoi se për vite me radhë, kjo qendër është udhëhequr nga kuadro partiake të kampit të Rexhepit, por gjatë gjithë atyre mandateve, sipas tij, nuk është bërë asnjë përmirësim – përkundrazi, është shkaktuar keqmenaxhim, zhvatje dhe shkatërrim sistematik.
“Hotelet ‘Sllavija’ dhe ‘Inex’, si dhe bukuritë natyrore të Kodrës së Diellit, u lanë në gjendje të mjerueshme. Revizioni ka konfirmuar keqpërdorime me miliona euro dhe ndaj ish-udhëheqësve janë ngritur padi konkrete,” – tha Aliji.
Drejtori i “Elem Turs” theksoi gjithashtu se ish-drejtorët dhe bashkëpunëtorët që sot shfaqen në fushata zgjedhore janë të njëjtët individë që kanë lënë pas një qendër me borxhe miliona euro, duke larguar edhe punonjës me dekada përvojë.
“23 punëtorë me mbi 30 vite përvojë u larguan dhe u zëvendësuan me kontrata të përkohshme, vetëm për të plotësuar interesa politike afatshkurtra,” – theksoi Aliji.
Ai rikujtoi se banorët e fshatit Lisec e dinë shumë mirë kush ka nisur projektin për ndërtimin e rrugës që lidh fshatin e tyre me Kodrën e Diellit: Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami.
“Ndaj, fjalët e z. Rexhepi nuk vlejnë më. Ka kush i del zot Kodrës së Diellit me punë, jo me propagandë,” – përfundoi Gani Aliji.