Në një tubim elektoral të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në qytetin e Deçanit, kandidati për kryetar komune dhe ish-kryetari i kësaj komune, Bashkim Ramosaj, prezantoi zyrtarisht Sami Cacajn si kandidat për Kuvendin Komunal në kuadër të listës fituese të AAK-së.
Sami Cacaj, i cili mban numrin 23️⃣ në listën zgjedhore, është aktualisht Nënkryetar i Komunës së Deçanit dhe njëherazi kryetar i degës së AAK-së për qytetin e Deçanit.
Ramosaj, duke e quajtur “mik e bashkëluftëtar”, theksoi se Cacaj përfaqëson vlerat më të larta të përkushtimit qytetar dhe kombëtar. Ai rikujtoi kontributin e hershëm të Cacajt në lëvizjen për liri si student dhe më pas si pjesëtar i radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Samiu është vëlla i dëshmorit Nagip Cacaj, një emër i nderuar që, së bashku me shumë dëshmorë dhe luftëtarë, u bë gurthemel i lirisë dhe pavarësisë sonë,” – u shpreh Ramosaj.
Ai vlerësoi maturinë, afërsinë me qytetarët dhe komunikimin e hapur që e kanë karakterizuar Sami Cacajn në të gjitha funksionet publike që ka ushtruar. Sipas tij, Cacaj ka qenë gjithmonë një derë e hapur për qytetarët dhe një zë i fuqishëm në mbrojtje të interesave të Deçanit.
“Për mua si kryetar, për Aleancën dhe për qytetin e Deçanit, është nder dhe privilegj që Sami Cacaj është pjesë e listës fituese të AAK-së,” – shtoi Ramosaj, duke i uruar suksese në garën për mandatin e ardhshëm.
Zgjedhjet lokale në Deçan priten të jenë një garë e fortë, me AAK-në që synon rikthimin në drejtimin e komunës përmes kandidaturës së Bashkim Ramosajt.