Nëse Shqipëria do ta gjykonte sezonin turistik vetëm nga fotografitë në Instagram, vera e vitit 2026 do të dukej thuajse e përsosur.
Ujë i kaltër në Ksamil, kroçiere përpara Sarandës, tavolina buzë detit në Himarë dhe një lumë makinash që zbriste çdo fundjavë drejt Jugut. Por turistët e sotëm kanë një zakon: pasi bëjnë foton e radhës, shkruajnë edhe vlerësimin. Dhe vlerësimet e korrikut dhe gushtit tregojnë një Shqipëri disi tjetër.
Në “Reddit” dhe “Tripadvisor”, turistët vazhdojnë të jenë pothuajse të njëzëshëm për një gjë: Shqipëria është një vend jashtëzakonisht i bukur. Por ata janë shumë më pak unanimë për mënyrën se si po shitet kjo bukuri. Në bregdet, sidomos në Ksamil dhe Sarandë, lavdërimi për natyrën shoqërohet gjithnjë e më shpesh me ankesa për mbipopullim, shezlongë, beton, muzikë, trafik dhe çmime.
Në Berat, Gjirokastër dhe Theth, ndërkohë, përshtypjet ndryshojnë. Turistët flasin për histori, ushqim, familje, autenticitet, male dhe mikpritje. Kështu, paradoksi i kësaj vere është i thjeshtë: turistët erdhën në Shqipëri për detin, por një pjesë e tyre duket se u dashurua me gjithçka që ndodhet larg tij.
Deti nuk humbi, bregdeti po rrezikon ta humbasë
Është e rëndësishme të bëhet dallimi që turistët nuk po kritikojnë Jonin ku është edhe fokusi më i madh i komenteve në raport me Adriatikun. Për Ksamilin, një vizitor i korrikut shkruan se “uji është i ngrohtë dhe i pastër si kristal”.
Një tjetër e përshkruan detin të bukur, por përfundon me vetëm dy fjalë për eksperiencën përreth tij “Shumë kaotike”. Kjo mund të jetë përmbledhja më e saktë e problemit të Rivierës Shqiptare.
Natyra vazhdon të prodhojë atë që reklamat premtojnë. Industria turistike e ngritur mbi të, jo gjithmonë. Në Ksamil, komentet e korrikut dhe gushtit përmendin plazhe të mbushura me shezlongë, hapësirë të kufizuar publike, muzikë të lartë, parkim të kushtueshëm dhe çmime që ndryshojnë sipas rreshtit të çadrave apo ditës së javës.
Një vizitore, duke parë ritmin e zhvillimit, shkruan: “Po ndërtohet kudo”. Deti, shton ajo, mbetet transparent dhe peizazhi i bukur. Pikërisht ky kontrast e bën kritikën më domethënëse.
Një tjetër turist vëren diçka që deri pak vite më parë do të dukej e çuditshme për një destinacion që tregtohej si alternativa e lirë dhe e paprekur e Mesdheut: në një pjesë të Ksamilit, sipas tij, nuk kishte mundësi të shtrije thjesht peshqirin, duhej marrë një shezlong me pagesë.
Kështu, Shqipëria po përballet me një problem tipik të destinacioneve që bëhen të famshme më shpejt se sa mësojnë të menaxhojnë famën. Askush nuk ankohet se deti është tepër i bukur. Ankesa është se gjithnjë e më shumë pengesa po hasen midis turistit dhe detit.
Një Rivierë që po shet gjithnjë e më shumë, por jo domosdoshmërisht po bind
Për shumë vite, avantazhi që reklamohej mbi vendin tonë ishte i qartë: bukuri mesdhetare me çmime jomesdhetare, pra ekonomike. Në verën e vitit 2026, ky ekuacion duket më i pasigurt.
Turistët vazhdojnë të gjejnë çmime të leverdishme, por jo domosdoshmërisht aty ku fama turistike është më e madhe. Në Ksamil ka komente për çadra që kushtojnë nga 1,000 deri në 3,500 lekë. Në një beach club tjetër, një vizitor raporton 4,000 lekë për një çadër madje ka edhe shifra shumë më të kripura se kaq. Ka edhe përvoja shumë pozitive, me staf të sjellshëm dhe çmime të mira, gjë që tregon se problemi nuk është universal. Por paqëndrueshmëria e eksperiencës është vetë një problem.
Një turist në Reddit, pasi vizitoi Sarandën dhe Himarën në gusht, e përshkruan udhëtimin si “një miks gjendjesh”. Deti dhe restorantet e mira e bindën, përvoja e përgjithshme shumë më pak. Kjo nuk do të thotë se turistët po braktisin Rivierën. Përkundrazi, turma tregon të kundërtën.
Por turizmi nuk matet vetëm me numrin e njerëzve që vijnë. Matet edhe me numrin e atyre që duan të kthehen. Dhe pikërisht këtu bregdeti shqiptar duhet të jetë më pak i kënaqur me vetveten.
Kur turisti largohet nga deti
Mjafton të ngjitesh drejt Beratit që gjuha e komenteve të ndryshojë. Një vizitor i korrikut e quan qytetin “një nga vendet tona të preferuara në Shqipëri”. Përshkrimet flasin për karakter, histori, rrugë të vjetra, shtëpi tradicionale dhe pamje. Një tjetër vizitor ngjitet në kala në mbrëmje dhe habitet se brenda mureve gjen një “micro village” (një fshat të vogël), me banorë, restorante dhe jetë reale.
Ky është një detaj i vogël, por me rëndësi. Turisti modern nuk duket se kërkon vetëm atë që është e bukur. Ai kërkon atë që duket sikur i përket vendit ku ndodhet. Berati e ka ende këtë avantazh. Kalaja nuk është thjesht monument. Është lagje. Shtëpitë nuk janë dekor i ndërtuar për turistin.
Historia nuk është një skenografi e vendosur sezonalisht në korrik. Në një Europë ku shumë qendra historike i ngjajnë njëra-tjetrës, të njëjtat dyqane suveniresh, të njëjtat menu, të njëjtat apartamente me qira, kjo lloj papërsosmërie autentike si në Berat bëhet një produkt turistik shumë i çmuar.
Gjirokastra dhe ekonomia e një pjate me fërgesë
Nëse Berati shet histori, Gjirokastra duket se po shet diçka edhe më të fortë: ndjesinë se turisti nuk është thjesht klient. Komentet e restoranteve tradicionale gjatë korrikut dhe gushtit janë të mbushura me referenca ndaj ushqimit familjar, çmimeve të arsyeshme dhe pronarëve që shërbejnë vetë.
Në Tryezën e Ali Pashait, një vizitor e përshkruan gatimin si “ushqim i jashtëzakonshëm tipik shqiptar i gatuar në shtëpi”. Një familje prej tre vetash raporton një faturë prej 3,500 lekësh për disa pjata, ujë, birra dhe kafe, së bashku me pamjen mbi qytet dhe kala. Në një restorant tjetër tradicional, një turist shkruan se ushqimi i kujton gatimin e gjyshes dhe se biznesi familjar e bën përvojën edhe më të veçantë. Një tjetër përshkruan pronarët si një çift që “nuk mund të kishin qenë më të këndshëm”.
Në një lokal tjetër, dy turistë raportojnë se hëngrën për vetëm 10.40 euro dhe, përveç porosisë, morën edhe pjata të vogla për të provuar specialitete të zonës. Ky është modeli i turizmit që po merr notat më të mira këtë verë. Jo domosdoshmërisht restoranti më i shtrenjtë. Jo objekti me investimin më të madh.
Jo vendi me muzikën më të fortë. Por tryeza ku dikush të shpjegon çfarë po ha, të sjell pak mjaltë nga familja dhe të ofron një ëmbëlsirë pa e përfshirë në faturë. Një model turistik i vështirë për t’u ndërtuar me rregullore e standarde, por tepër i lehtë për t’u shkatërruar nga mania e komercializimit të tepërt që po vjen me rritjen e interesit turistik për Shqipërinë.
Thethi, aty ku Shqipëria ende nuk ka nevojë të shtiret
Në Veri, avantazhi bëhet edhe më i dukshëm. Në Theth, turistët nuk kanë shumë nevojë për marketing. Malet e bëjnë punën vetë. Një vizitore në korrik e përshkruan një bujtinë si “shtëpia larg shtëpisë”, duke lavdëruar njëkohësisht peizazhin e maleve, familjen që e drejton dhe ushqimin.
Një tjetër bujtinë vlerësohet për gatimet lokale me çmime të arsyeshme dhe staf “jashtëzakonisht miqësor dhe i gjindshëm”. Natyrisht, as Thethi nuk është i imunizuar ndaj kritikave. Ka edhe komente për staf jo miqësor apo probleme me akomodimin. Por dallimi me bregdetin është domethënës. Në Veri, kur turisti ankohet, zakonisht ankohet për një bujtinë. Në Ksamil, shpesh duket sikur po ankohet për modelin e destinacionit dhe pikërisht këtu duhet të nisë reflektimi.
Shqiptarët, mes mikpritjes dhe industrisë së shërbimit
Edhe perceptimi për shqiptarët është i ndarë në dy Shqipëri. Në Gjirokastër, Berat dhe bujtinat e Veriut, fjalët “miqësorë”, “mikpritës”, “familjare” shfaqen vazhdimisht.
Në bregdet dhe qytetet më të ngarkuara, tabloja është më e paqëndrueshme. Një turist çek që vizitoi Tiranën dhe Vlorën në gusht e vlerësoi udhëtimin vetëm 5 nga 10 dhe shkroi se shpesh ndihej sikur “nuk ishim të mirëpritur”. Ky nuk është një përfundim për karakterin e shqiptarëve. Komentet e tjera thonë pikërisht të kundërtën. Është më tepër një tregues i një industrie që po rritet më shpejt sesa mundësitë e saj. Shqipëria ka një kulturë të fortë mikpritjeje private. Sfida është ta përkthejë atë në mikpritje profesionale pa e kthyer në buzëqeshje fasadë të një hoteli. Bizneset e vogla familjare duket se e bëjnë këtë më mirë se shumë struktura turistike më të mëdha.
Autenticiteti po bëhet luksi i ri
Për shumë vite, fjala kyçe e turizmit shqiptar ishte “e lirë”. Tani duhet të jetë “ndryshe”. Sepse Shqipëria nuk mund të fitojë një garë të pafundme ndërtimi me Greqinë, Kroacinë, Turqinë apo Spanjën. Ato kanë më shumë resorte, më shumë marina dhe infrastrukturë më të konsoliduar. Ajo që Shqipëria ka dhe konkurrentët e saj e kanë shumë më pak është një territor i vogël ku, brenda disa orësh, një turist mund të kalojë nga një plazh jonian në një qytet historik, nga një vresht familjar në një luginë alpine.
Një darkë pak kilometra jashtë Gjirokastrës përshkruhet nga një vizitore si “pika kulmore e udhëtimit tonë në Shqipëri”, rrush mbi tavolinë, pula në oborr, verë nga vreshti përreth dhe perëndim dielli. Në gjuhën e industrisë së turizmit, kjo quhet “udhëtim i bazuar te përvojat” dhe është një nga segmentet që po shënon interesin më të madh të turistëve. Në Shqipëri, kjo quhej dikur thjesht jetë e zakonshme dhe avantazhi ynë më i madh do të ishte ta ruanim atë.
Çfarë e fitoi verën e vitit 2026?
Deti mbetet një prej magneteve më të fuqishme të vendit. Pa të, Shqipëria vështirë se do të kishte parë këtë shpërthim interesi ndërkombëtar që po përjeton viteve të fundit. Por komentet e turistëve të korrikut dhe gushtit sugjerojnë se deti po sjell klientin, ndërsa brendësia po krijon eksperiencën dhe kujtimet. Në Ksamil, fotografia më e mirë mund të jetë ajo e ujit të kaltër.
Në Gjirokastër mund të jetë darka në një oborr familjar. Në Berat, një mbrëmje mes gurëve të kalasë. Në Theth, mëngjesi përballë maleve. Dhe në turizëm, kujtimi është më i vlefshëm se fotografia.
Fotografia sjell “like” (pëlqime). Kujtimi sjell kthimin apo rikthimin e një turisti. Kjo është arsyeja pse fituesi i vërtetë i kësaj vere mund të mos jetë Riviera. E fitoi natyra, por sidomos ajo pjesë e Shqipërisë që ende nuk është ndërtuar posaçërisht për turistin. Bregdeti ofroi peizazhin më të famshëm dhe të promovuar të vendit, por gjithnjë e më shpesh edhe problemet e një destinacioni që po rritet me shpejtësi: çmime të paqëndrueshme, trafik, zhurmë, beton, shezlongë dhe presion mbi hapësirën publike.
Brendësia ofroi diçka më të thjeshtë: ushqim, histori, male, familje dhe një ndjesi vendi. Për momentin, turistët duket se po votojnë për të dytën. Dhe ky duhet të jetë një paralajmërim për të gjithë palët. Shqipëria nuk ka nevojë të ndërtojë një version më të lirë të Rivierës franceze apo ishujve grekë.
Nëse përpiqet, çmimet do të afrohen me konkurrentët shumë përpara se infrastruktura dhe shërbimi t’i arrijnë ata. Produkti më i vlefshëm që Shqipëria ka për të shitur apo marketuar është pikërisht ajo që turistët po gjejnë pasi largohen nga plazhi: Shqipërinë e vërtetë./ Monitor
