Përfitojnë edhe emigrantët shqiptarë! Greqia me paketë të re masash, ulje taksash, 400 euro për pensionistët dhe pagë minimale 1,000 €

Një paketë e re masash ekonomike pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme për punonjësit e sektorit publik dhe privat , e po ashtu edhe për pensionistët, në Greqi. Mediat greke raportojnë se pensionistët do të përfitojnë një pagesë shtesë prej 400 eurosh çdo nëntor, ndërsa paralajmërohen rritje të pagave dhe përfitime të tjera në vitet e ardhshme.

Paketa e re u prezantua nga kryeministri Kyriakos Mitsotakis, nga podiumi i Panairit të 90-të Ndërkombëtar të Selanikut

“Le të bëhet dinamika e vendit përparim për të gjithë”, deklaroi Mitsotakis në fjalimin e tij, ndërsa më pas njoftoi masa që prekin, ndër të tjera, profesionistët e vetëpunësuar, bizneset, pensionistët, punonjësit e sektorit privat dhe publik, si dhe fermerët.

Pagesa prej 400 eurosh për pensionistët do të nisë në nëntor të vitit 2026 dhe do të jepet në mënyrë të përhershme çdo vit. Numri i përfituesve pritet të rritet nga 1.87 milionë në rreth 2.2 milionë, pasi do të hiqen kriteret e të ardhurave dhe pasurisë. Kushti kryesor do të jetë që pensionisti të ketë mbushur 65 vjeç.

Masa do të shtrihet edhe te personat me aftësi të kufizuara dhe të moshuarit e pasiguruar. Pagesa është rritur me 100 euro, nga 300 në 400 euro, duke iu afruar nivelit aktual të pensionit kombëtar, i cili është rreth 446 euro.

Për pensionistët është edhe një tjetër lajm i mirë, pasi në fund të dhjetorit pritet një tjetër ndryshim i rëndësishëm, heqja përfundimtare e mekanizmit të “diferencës personale”. Kjo do të bëjë që të gjithë rreth 2.5 milionë pensionistët të përfitojnë rritjen e plotë vjetore.

Rreth 670 mijë pensionistë që kanë ende diferencë personale do të marrin gjithashtu rritjen e plotë. Sipas shembujve të paraqitur nga kryeministri, një pensionist që merr 823 euro do të përfitojë një rritje vjetore prej 208 eurosh, ndërsa bashkë me pagesën prej 400 eurosh, përfitimi vjetor do të arrijë në 608 euro. Për një pensionist me pension 1086 euro, përfitimi vjetor do të jetë 684 euro, ndërsa për një pension prej 1716 eurosh, përfitimi do të arrijë në 849 euro.

Nga dhjetori i vitit 2027, rreth 720 mijë punonjës të sektorit publik pritet të marrin çdo vit një bonus prej 500 eurosh bruto për Krishtlindje. Masa konsiderohet pjesërisht si rikthim i pagës së 13-të, ndërsa bonusit do t’i llogariten edhe kontributet për pension, duke ndikuar në përfitimin e ardhshëm të punonjësve pas daljes në pension.

Punonjësit e administratës publike, në të gjitha nivelet e pagave, do të përfitojnë gjithashtu një rritje prej 30 eurosh nga 1 prilli 2027.

Edhe punonjësit e sektorit privat që paguhen me pagën minimale pritet të përfitojnë rritje të njëpasnjëshme. Sipas planit të prezantuar, paga minimale do të kalojë 950 euro në prill të vitit 2027, ndërsa synimi është që në janar 2028 të arrijë në 1000 euro.

Rritja do të ndikojë edhe te pagat e punonjësve që përfitojnë nga sistemi i trevjeçarëve të përvojës në punë. Sipas shembullit të dhënë, një punonjës me një trevjeçar përvojë do të mund të marrë rreth 1045 euro pagë pas rritjes.

Punonjësit e sektorit privat me kontratë përfitojnë një shtesë prej 10% për çdo trevjeçar përvojë, deri në tre trevjeçarë. Kjo do të thotë se një punonjës me të paktën nëntë vite përvojë mund të përfitojë deri në 30% shtesë mbi pagën bazë.

Ndërkohë, nga 1 prilli 2027 parashikohet edhe ulja e kontributeve të sigurimeve shoqërore me 0.5 pikë përqindjeje. Masa pritet të rrisë të ardhurat neto të punonjësve dhe njëkohësisht të ulë kostot e punës për bizneset.

Sipas vlerësimeve, ulja e kontributeve do t’i kushtojë fondit të sigurimeve rreth 220 milionë euro në vit.

Nga këto masa, pritet të përfitojnë dhe shumë emigrantë shqiptarëqë jetojnë e punojnë prej vitesh në Greqi, Po ashtu, edhe ata shqiptarë që marrin pension nga shteti grek.