Gazetari Petrit Saraçini ka reaguar lidhur me debatet e fundit në opinion dhe në rrjetet sociale për nismën e paralajmëruar për ndërtimin e një biblioteke me libra në gjuhën shqipe në hapësirën e Sheshit “Skënderbeu” në Shkup.
Përmes një statusi publik në rrjetet sociale, Saraçini shprehet i habitur nga kundërshtimet që po shfaqen ndaj këtij projekti, duke theksuar se një bibliotekë nuk duhet të shihet si problem, por si investim në arsim, kulturë dhe lexim.
Saraçini e vlerëson si pozitiv paralajmërimin e kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, për ndërtimin e bibliotekës pranë kupolave të platosë së Sheshit “Skënderbeu”, të cilat, sipas tij, aktualisht janë jofunksionale dhe shpesh keqpërdoren gjatë orëve të natës.
“E kuptoj të pengojnë ndërtimet pa leje, krimi apo politikanët e papërgjegjshëm, por të pengojë një bibliotekë?”, shkruan ai, duke kritikuar komentet që kundërshtojnë hapjen e një institucioni të tillë kulturor.
Në reagimin e tij, Saraçini thekson se arsimimi dhe leximi janë mënyra më e mirë për të zhvilluar shoqërinë dhe për të luftuar paragjykimet, duke shtuar se kundërshtimi ndaj një biblioteke me libra në gjuhën shqipe ngre pikëpyetje serioze për raportin e shoqërisë me dijen dhe kulturën.
