Surroi akuzon Haxhiun për vitin 1998, por a e dinte atëherë botuesi i “Koha Ditore”?

Ish-botuesi i “Koha Ditore”, Veton Surroi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ish-kryeredaktorit të kësaj gazete, Baton Haxhiu, të bëra në emisionin “Pressing” në T7 më 12 nëntor. Përmes një postimi në Facebook, Surroi e ka akuzuar Haxhiun për trillime rreth familjes së tij dhe për kontakte me Shërbimin e Sigurimit Shtetëror të Serbisë në vitin 1998.

Por reagimi i tij hap një pyetje që vetë Surroi nuk e trajton: në vitin 1998, kur sipas tij Haxhiu po koordinonte takime me sigurimin serb, Haxhiu ishte kryeredaktor i “Koha Ditore”, ndërsa Surroi ishte botues i saj. A e dinte botuesi atëherë për këto kontakte?

Surroi: Fotografia e Titos është trillim

Në emisionin e T7, Haxhiu kishte folur për pjesëtarë të ndjerë të familjes së Surroit, përfshirë nënën e tij, Nahire, dhe dajën, Zenel Kabashi. Sipas Haxhiut, Surroi e kishte çuar në drekë në banesën e nënës së tij në vitin 1998, ku kishte parë fotografinë e Josip Broz Titos dhe kishte biseduar me të rreth saj.

Surroi e mohon kategorikisht këtë.

“Unë nuk e kam çuar Baton Haxhiun në banesën e nënës sime as më 1998 e as ndonjë herë tjetër. Fotografia e Titos dhe biseda me nënën time janë trillim i tij, një gjë jo e befasishme për veprimin publik të tij”, ka shkruar Surroi.

Ai e ka kritikuar Haxhiun edhe për faktin se, sipas tij, u thirr në fjalët e të afërmve të vdekur, të cilët nuk mund të përgjigjen. Surroi ka theksuar se Haxhiu nuk është përgjegjës për veprimet e familjarëve të tij, por vetëm për veprimet e veta.

Kanali Stanishiq–Bakalli

Pjesa më e rëndë e reagimit të Surroit lidhet me vitin 1998. Sipas tij, pikërisht në atë periudhë Haxhiu kishte pranuar ftesën për bashkëpunim me Zoran Stijoviqin, udhëheqës i Sigurimit Shtetëror të Serbisë për Prishtinë, me qëllim të hapjes së një kanali komunikimi mes shefit të sigurimit serb, Jovica Stanishiq, dhe Mahmut Bakallit.

Surroi pretendon se Haxhiu, në bashkëpunim me Stijoviqin, ka koordinuar takimet e përfaqësuesve të sigurimit serb me Bakallin, në banesën e tij në Prishtinë dhe në hotelin e Sigurimit Shtetëror në Brezovicë.

Sipas Surroit, nga dëshmitë e Bakallit në gjykimin e Sllobodan Millosheviqit në Hagë del se Haxhiu nuk ka qenë bashkëbisedues i Stanishiqit, siç ka pretenduar vetë ai në deklarata të ndryshme.

“Gjatë bisedës kokë më kokë mes J. Stanishiqit dhe M. Bakallit, B. Haxhiu ka qenë në katin e poshtëm së bashku me operativët e Sigurimit Shtetëror të Serbisë”, ka shkruar Surroi.

Ai pretendon gjithashtu se në vitin 2005 Ministria e Brendshme e Shqipërisë kishte refuzuar t’i jepte Haxhiut shtetësinë shqiptare, mbi bazën e një dokumenti sekret, dhe se ky refuzim ishte tejkaluar më pas me të drejtën diskrecionale të Presidentit.

A e dinte botuesi?

Sipas Surroit, Haxhiu në deklarata të ndryshme e ka paraqitur veten si bashkëbisedues në kanalin me Stanishiqin. Surroi e kontestoi këtë version, por në reagimin e tij nuk sqaron nëse ai, si botues i “Koha Ditore”, ishte në dijeni të këtyre kontakteve në kohën kur ato ndodhnin.

Kjo e bën pyetjen të pashmangshme. Nëse kryeredaktori i gazetës po koordinonte takime me sigurimin serb, a e dinte këtë botuesi i saj? Nëse po, pse këto akuza ngrihen vetëm tani, pas 28 vitesh? Dhe nëse jo, si mbeti i panjohur për botuesin një angazhim i tillë i kryeredaktorit të tij?

Surroi dhe Haxhiu kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë gjatë viteve ’90 në “Koha Ditore”, para se raportet mes tyre të prisheshin dhe të shndërroheshin në përplasje publike që zgjasin prej vitesh.

Surroi e ka përmbyllur reagimin duke folur për familjen e tij amnore, nga gjyshi Xhemal Kabashi te fëmijët dhe dhëndurët e tij, të cilët, sipas tij, me bindje të ndryshme politike kanë formësuar shtetin e Kosovës gjatë shekullit XX.

Burimi: botasot.info