Dhuna mes adoleshentëve, alarm për shoqërinë, Kadriu: Parandalimi nis me komunikimin

Përleshjet mes të rinjve, përdorimi i mjeteve të rrezikshme dhe rastet e dhunës mes adoleshentëve po bëhen gjithnjë e më shqetësuese. Psikologët thonë se sjellja e një adoleshenti nuk formohet brenda natës. Ajo ndikohet nga mënyra e rritjes, familja, shkolla, shoqëria dhe mjedisi ku i riu kalon pjesën më të madhe të kohës, por edhe nga ndikimi gjithnjë e më i madh i rrjeteve sociale.

Rasti i fundit i një 13-vjeçari në Çair nxjerr edhe një herë në pah rëndësinë e këtyre faktorëve, sidomos kur bëhet fjalë për një moshë në të cilën personaliteti dhe mënyra e reagimit ndaj konflikteve janë ende në formim, thekson për TVM2 psikologu Arbër Kadriu.

“Tek aspektet negative duhet të fokusohemi te ajo çështja se sa këto të rinj ne i lëmë të lirë të paraqiten nëpërmjet aplikacioneve të rrjeteve sociale. Sado që ne themi këto akte negative, të cilat dënohen me ligj, domethënë janë të parapara të dënueshme, duhen të shohim se sa ne kemi aspekte negative, të cilat janë të dënueshme, po i kemi legale, sikurse siç janë sharja, ofendimi, ndjenja e superioritetit, prekja e sedrës së një adoleshenti dhe kjo natyrshëm takohet me një akt barbar dhe jo të mirë, sidomos tek gjeneratat e reja që akoma janë në zhvillim e sipër ose në një mjegullnajë mendore.”, u shpreh për TVM2 psikologu Arbër Kadriu.

Por Kadriu thotë se, fatkeqësisht, psikologët nuk kanë gjithmonë mundësinë ta kryejnë profesionin e tyre ashtu siç duhet. Sipas tij, psikologët në shkolla shpesh ngarkohen edhe me detyra administrative, duke e kufizuar kohën dhe hapësirën për punë të drejtpërdrejtë me nxënësit. Për këtë arsye, ai apelon që ndryshimet në sjelljen e të rinjve të ndiqen me kujdes dhe të krijohet një koordinim më i fortë mes familjes, shkollës dhe institucioneve të tjera, në mënyrë që problemet të identifikohen dhe të adresohen para se të përshkallëzohen.

“Është shumë me rëndësi që të ketë një rrjet kontakti ose një lidhje komunikimi mes prindërve, familjes, institucioneve, shkollave dhe, po ashtu, institucioneve tjera të sigurisë ose Ministria e Punëve të Brendshme. Domethënë, duhet të bëhet një rrjet i përbashkët i krejt këtyre institucioneve, që të minimizohen këto problematika.”, theksoi për TVM2 psikologu Kadriu.

Dhuna mes të rinjve nuk është vetëm problem i një familjeje apo i një shkolle. Parandalimi i saj kërkon bashkëpunim mes prindërve, institucioneve arsimore dhe shoqërisë në tërësi. Sepse reagimi në kohë, identifikimi i hershëm i problemeve dhe komunikimi mes të gjithë aktorëve mund të parandalojnë që një konflikt i vogël të përshkallëzohet dhe të përfundojë me pasoja të rënda.