Bartësi i listës për këshilltarë komunalë nga radhët e VMRO-DPMNE për komunën e Gostivarit, Martin Andonovski, mbrëmë zhvilloi vizitë në nëndegën e partisë “Mara Ugrinova”, bashkë me bashkëpartiakët me të cilët, siç thotë ai, ka filluar rrugëtimin e tij politik.
“Sonte e vizitova organizatën time amë të partisë – MK “Mara Ugrinova”, së bashku me bashkëpartiakët e mi me të cilët u rrita dhe i hodha hapat e parë në politikë, e që sot janë era në krahët e mi. Kjo është vetëm fillimi i fitores së madhe që do ta arrijmë më 19 tetor, dhe zotimi ynë është i qartë: Gostivari do të bëhet një vend më i bukur për të jetuar”, – shkroi Andonovski në një postim publik në rrjetet sociale.
Ai theksoi se mbështetja që merr nga strukturat lokale të partisë përbën motivim shtesë për përballjen zgjedhore që i pret më 19 Tetor, kur do të mbahen zgjedhjet lokale në vend.
Në mesazhin e tij publik, Andonovski zotohet se lista që ai përfaqëson do të punojë me përkushtim që Gostivari të shndërrohet në një vend më të mirë për jetesë, duke paralajmëruar “një fitore të madhe” të koalicionit që përfaqëson.
Vizita në MK “Mara Ugrinova” vjen në prag të fushatës zgjedhore që pritet të fillojë së shpejti, ndërsa VMRO-DPMNE në Gostivar tashmë ka filluar me aktivitetet e para elektorale në terren.