Në takimin e sotëm me rininë në Kërçovë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dërgoi një mesazh të fuqishëm për ruajtjen e identitetit, historisë dhe gjuhës shqipe, si dhe për bashkimin e gjithë shqiptarëve në një të ardhme të përbashkët.
Ahmeti theksoi se populli shqiptar është trashëgimtar i këtyre trojeve, të cilat janë larë me gjak dhe që askush nuk mund t’i mohojë apo sfidojë.
“Jemi pasardhës të kësaj toke, e cila është larë me gjak dhe nuk na dridhet as qerpiku. Ata që kërkojnë të na ndajnë apo të na dërgojnë larg nga vendi ynë, duhet të kuptojnë se ne nuk jemi të dyndur, por autoktonë, bashkë me diellin që ka lindur këtu. Historia dhe gjuha jonë janë të pacënueshme,” tha Ahmeti.
Ai kujtoi kohët e vështira të së kaluarës, duke theksuar se përpjekjet për të mohuar shqiptarët dhe vlerat e tyre ishin përpjekje për të krijuar përçarje dhe konflikt midis komuniteteve.
“Nëse dikush do të donte të na mohonin tokat dhe krenarinë, do të na vrisnin, do të na dëbonin dhe do të na frikësonin. Por ne qëndrojmë të bashkuar dhe të fortë, me vizionin e një të ardhmeje paqësore dhe të sigurt për të gjithë,” shtoi Ahmeti.
Lideri i BDI-së theksoi se është detyra e të gjithë neve të mbrojmë vlerat dhe të drejtat e bashkëkombësve tanë dhe të punojmë për unitet dhe bashkëpunim në shërbim të progresit.
“Ne nuk i kemi rënë njeriut në qafë, por nuk do të lejojmë askënd të na ngrihet mbi kokë. Ky shtet është i yni dhe ne duhet të punojmë për të mbrojtur atë që kemi fituar me shumë mund dhe sakrifica,” përfundoi Ahmeti.