GazetaMax
Lajme

Me borxhe deri në fyt, komuna e Gostivarit hyn në garë të re zgjedhore

Një numër i madh i komunave në Maqedoni po hyjnë në një garë të re zgjedhore me detyrime të pashlyera dhe me borxhe deri në fyt. Deri në muajin qershor në adresë të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale kanë arritur për arkëtim detyrime prej 3,981 milionë denarësh (64.7 milionë euro), ose 9% e shumës së përgjithshme të detyrimeve të subjekteve publike.

Nëse këtyre u shtohen edhe detyrimet e ndërmarrjeve publike lokale të themeluara nga komunat (një shumë prej 6,617 milionë denarësh), pjesëmarrja e përgjithshme e tyre arrin në 25% të shumës së përgjithshme të detyrimeve të pashlyera, raporton Dojçe Vele (DW), transmeton Portalb.mk.

Cilët janë borxhlinjtë më të mëdhenj?

Në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen në muajin tetor Finance Think publikoi analizë e cila tregon se komunat më të mëdha kanë edhe borxhe më të mëdha.

Borxhlinjtë më të mëdhenj janë Komuna e Gostivarit (693 milionë denarë), Kavadarit (228 milionë denarë) dhe Qyteti i Shkupit (342 milionë denarë). Nëse detyrimet analizohen në raport me numrin e banorëve, komunat me borxhet më të mëdha janë Dellçeva, Gostivari, Vasileva dhe Krivogashtani, ku çdo banor detyrohet mesatarisht nga 14.227 deri në 8. 820 denarë.

Por, më të ngarkuara me borxhe janë Komuna e Gostivarit dhe Kavadarit. Komuna e Dojranit, Kratovës dhe Nagoriçanit të Vjetër po i shlyejnë detyrimet e tyre në kohë, ndërsa Komuna Qendër dhe e Dollnenit nuk kanë dorëzuar të dhëna deri në muajin qershor.

“Borxhet komunale janë një barrë serioze për buxhetet lokale dhe e dëmtojnë stabilitetin fiskal të komunave. Tek Komuna e Vasilevës, Dellçevës dhe Gostivarit ato tejkalojnë 50% të të ardhurave të përgjithshme, gjë që flet për një rrezik të lartë nga insolvenca fiskale. Përveç kësaj, tek një numër i madh të NJVL-ve këto detyrime janë disa herë më të larta se të ardhurat e mbledhura tatimore dhe të dalat e realizuara kapitale”, theksojnë nga Finance Think.

Komunat janë të detyruara të paguajnë këste të njëjta në Ministrinë e Financave brenda një afati kohor prej 10 viteve.

Paraprakisht, në vitin 2018, Qeveria miratoi 3 miliardë denarë (rreth 50 milionë euro) nga ribalansi i buxhetit për të mbuluar 51% të detyrimeve të raportuara, por të pashlyera të komunave dhe institucioneve të themeluara prej tyre (gjithsej rreth 5,95 miliardë denarë). Por, edhe krahas kësaj mbështetjeje financiare tendenca e grumbullimit të detyrimeve të reja të pashlyera vazhdoi.

“Kjo krijon një ‘rrezik moral’ ku për shkak të përgjegjësisë së ulët pushteti qendror ndërhyn duke i mbuluar detyrimet e pashlyera, duke e zhvendosur kështu rrezikun nga niveli lokal në atë kombëtar dhe duke e dëmtuar disiplinën fiskale afatgjatë. Kjo gjithashtu krijon pritshmëri për një lloj të tillë mbulimi të borxhit edhe në të ardhmen”, theksojnë nga Finance Think.

Related posts

Blinken, udhëtim në Lindjen e Mesme ndërsa Siria është në udhëkryq pas përmbysjes së Assadit

Gazeta Max

Sali: Të sëmurët me kancer marrin terapi standarde e cila shfrytëzohet në tërë botën

Gazeta Max

Eftov: Sulmet ndaj Artan Grubit janë sulme ndaj Ali Ahmetit (Video)

Gazeta Max