Në Tetovë u mbajt sot “Marshi i Fitores”, aktivitet i organizuar nga koalicioni VLEN. Në këtë marsh morën pjesë kandidati për kryetar të Tetovës dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, bartësi i listës për këshilltarë komunalë Albi Qamili, kandidatët për këshilltarë, si dhe të rinj e aktiviste të shumta.
Destinacioni i marshit ishte Banja e Tetovës, të cilën Kasami e cilësoi si simbol të dy epokave që ka kaluar qyteti – epokën e kaosit, neglizhencës dhe papërgjegjësisë, si dhe epokën e punës, kujdesit dhe pastërtisë, që sipas tij nisi në vitin 2021 me ardhjen e tij në krye të komunës.
Në reagimin e VLEN-it u theksua se BDI-ja e kishte lënë Banjën pas dore, me rrugën e shkatërruar dhe murin që përbënte rrezik për qytetarët. Ndërhyrjet e bëra gjatë mandatit të parë të Kasamit përfshijnë rregullimin dhe zbukurimin e murit, ndërtimin e një parku lojërash për fëmijë, krijimin e zhveshtoreve të reja për vizitorët, si dhe mirëmbajtjen e rrethinës në standarde më të larta pastërtie.
“Tetovarët nuk kanë mëdyshje për zgjedhjen e tyre në këto zgjedhje. Ata zgjedhin progresin dhe nuk kthehen në të kaluarën e zymtë. Tetova meriton udhëheqësi që e do të bukurën, punën dhe zhvillimin. Tetova meriton vazhdimësinë e Kapitullit të Dytë në krye me Bilall Kasamin”, thuhet në reagimin e koalicionit VLEN.