Shkupi po bëhet gati të mirëpresë një nga ngjarjet më të mëdha kulturore në hapësirën shqiptare: Festivali Kombëtar i Kulturës Shqiptare “Porta e Kulturës”, i cili do të sjellë në Shkup emra të njohur të muzikës, teatrit, filmit, letërsisë dhe artit pamor, të gjitha të përmbledhura në një manifestim të vetëm.
Pikërisht kjo temë ishte në qendër të një takimi miqësor mes Zëvendës kryeministrit të parë Izet Mexhiti dhe tenorit shqiptar me famë botërore, Rame Lahaj.
Takimi u zhvillua në ambientin karakteristik të Çarshisë së Vjetër të Shkupit, aty ku aroma e traditës dhe historisë shqiptare ndihet në çdo hap.
“Shkupi meriton të jetë qendra kulturore e shqiptarëve, dhe përmes këtij festivali do të ndërtojmë një urë të qëndrueshme mes artistëve tanë dhe publikut. Me miqtë si Rame Lahaj, që janë ambasadorë të kulturës sonë në botë, kjo nismë merr edhe më shumë kuptim”, shkruan Mexhiti.
“Porta e Kulturës” pritet të organizohet në javët në vijim dhe do të jetë hapësirë e hapur për krijimtari, bashkëpunim dhe afirmim të artistëve shqiptarë nga të gjitha trojet dhe diaspora.