GazetaMax
Lajme

ShBA-ja ia ndalon shopingun delegacionit iranian, lëvizja vetëm nga hoteli deri në OKB

Shtetet e Bashkuara i kanë vendosur kufizime të rrepta delegacionit iranian që po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju-Jork, duke ia kufizuar lëvizjen dhe duke ia ndaluar qasjen në dyqane të shitjes me shumicë dhe në produkte luksoze.

Tommy Pigott, zv.zëdhënës i Departamentit të Shtetit, tha në një deklaratë se me këtë masë synohet “maksimizimi i presionit” ndaj udhëheqjes klerike të Iranit, duke e akuzuar atë se po i lejon autoritetet që të gëzojnë shoping luksoz jashtë vendit, përderisa iranianët e rëndomtë ballafaqohen me “varfëri, infrastrukturë që po dështon si dhe mungesë të ujit dhe rrymës”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Udhëheqësit botërorë mblidhen në Nju-Jork çdo shtator për disa ditë, ku mbajnë fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, e cila të martën e nis sesionin e 80-të vjetor.

Ekonomia është sfida kryesore për klerikët iranianë në pushtet, të cilët kanë frikë nga ringjallja e protestave që kanë shpërthyer që nga viti 2017 nga komunitetet me të ardhura të ulëta e të mesme, të zemëruara me shtimin e varfërisë për shkak të sanksioneve, keqmenaxhimit dhe korrupsionit shtetëror.

Pigott tha se sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, ka dhënë urdhër që delegacionit iranin t’i kufizohet lëvizja vetëm nëpër rrugën mes hotelit dhe selisë qendrore të OKB-së dhe vetëm për punë zyrtare.

Ministria e Jashtme e Iranit nuk i komentoi kufizimet e Departamentit të Shtetit ndaj delegacionit të saj.

Selia qendrore e OKB-së ndodhet në qendër të Manhattan-it. Para kufizimeve të reja, pjesëtarëve të delegacionit iranian u lejohej udhëtimi mes OKB-së, misionit iranian në këtë organizatë, rezidencës së ambasadorit iranian në OKB dhe Aeroportit Ndërkombëtar “John F. Kennedy”.

Related posts

Dy të rinj humbin jetën pas rrëshqitjes së dheut në një kantier në Gramsh

Gazeta Max

Nga sot e kalueshme për qarkullim ura mbi lumin Kumanovka

Gazeta Max

Grubi: Edhe një detyrë u përmbush, gjuha shqipe në uniformat e policisë!

Gazeta Max