GazetaMax
Lajme

Ende mister vrasja e italianit Sarchi: U qëllua me armë zjarri, jo çifte

Misteri mbi vdekjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në fshatin Salari të Tepelenës vijon të thellohet, ndërsa autoritetet ende nuk kanë dhënë asnjë detaj zyrtar mbi rrethanat e ngjarjes.

Burime të Report Tv bëjnë me dije se 60-vjeçari është qëlluar me armë zjarri dhe jo me çifte, siç ishte dyshuar fillimisht. Megjithatë, rezultatet e autopsisë, që pritet të kryhen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, nuk janë bërë ende publike nga organet kompetente.

Edoardo Sarchi, i cili prej 20 vitesh ishte vendosur në Shqipëri dhe ishte i martuar me një grua shqiptare nga Fushë-Kruja, me të cilën kishte dy fëmijë, u përcoll një ditë më parë për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës. Ceremonia mortore ka qenë private, ndërsa shumë prej kushërinjve të tij italianë nuk arritën të marrin pjesë. Edhe motra e viktimës mungoi në funeral, gjë që u konfirmua nga kushëriri i tij, Riccardo Barbieri, në një intervistë për “La Repubblica”.

Dinamika e vrasjes së Sarchit mbetet e paqartë, ndërsa nuk dihet ende nga çfarë distance është qëlluar. Katër personat e shoqëruar në lidhje me ngjarjen – Eqrem Braçi, dy djemtë e tij Gazmend dhe Daniel, si dhe bariu Armir Hitoveizi – u lanë të lirë që të njëjtën ditë. Dëshmitë e tyre janë raportuar si kontradiktore.

Autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje./L.F-dritare.net

Related posts

Mariçiq: Maqedonia e Veriut e ka Greqinë si partner dhe mbështetës të fortë në rrugën evropiane

Gazeta Max

Përpjekjet e Trumpit për paqe drejt dështimit, eskalojnë luftërat në Ukrainë e Gazë

Gazeta Max

Ademi: Milloshovski gënjen paturpësisht, krijon qëllimisht lajme të rreme dhe mashtron publikun

Gazeta Max