Motra e heroit të kombit, Afrim Zhitia, znj. Sadete Zhitia, në postimin e saj në fb ka shprehur falënderim dhe respekt të thellë për të gjithë ata që nderuan kujtimin e të vëllait.
Në postimin e saj, znj. Zhitia veçoi praninë e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, të kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, si dhe të shumë qytetarëve, miqve e bashkëpunëtorëve që morën pjesë në këtë moment të rëndësishëm.
“Dua të shpreh publikisht falënderimin dhe respektin tim të thellë për praninë e Kryeministrit të Kosovës, z. Albin Kurti, praninë e mikut të hershëm dhe bashkëveprimtarit të Afrimit, z. Ali Ahmeti, të z. Ramush Haradinaj, të kryetarit të Komunës së Podujevës, z. Shpejtim Bulliqi, si dhe të shumë qytetarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve që nderuan këtë moment të rëndësishëm,” ka shkruar ajo.
Në veçanti, Sadete Zhitia falënderoi kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, të cilin e cilësoi si mik të shtrenjtë të Afrimit dhe të familjes Zhitia, duke theksuar se ai ka qëndruar gjithmonë pranë tyre me përkushtim dhe dinjitet në çdo hap të kujtesës për heroin.
“Veçanërisht dua të falënderoj z. Ali Ahmetin, mikun e shtrenjtë të Afrimit dhe të familjes sonë, që me përkushtim e dinjitet ka qëndruar pranë nesh në çdo hap të kujtesës,” u shpreh ajo.
Ky reagim i motrës së heroit Afrim Zhitia shihet si një dëshmi e respektit dhe e mirënjohjes ndaj figurave institucionale dhe shoqërore që vazhdojnë të nderojnë veprën dhe sakrificën e tij.