GazetaMax
Lajme

Hija e arkivoleve, frika e shqiptarëve nga rikthimi i shërbimit ushtarak në Serbi

Familjet shqiptare në jug të Serbisë ndiejnë një valë të re shqetësimi: rikthimi i mundshëm i shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi po u kthen frikën e viteve ’80 dhe ’90.

Kur dëgjon fjalën “ushtri”, Sadik Sadiku nga Rahovica e Preshevës, në jug të Serbisë, nuk mendon për mbrojtje, por për arkivole të mbyllura hermetikisht, që sollën dhimbje në familjen e tij.

Dyzet e tre vjet më parë, nipi i tij, Yzeiri, u kthye i vdekur nga shërbimi ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ). Trupi i tij mbërriti në shtëpi në një arkivol të mbyllur – pa mundësinë që familja ta hapte dhe ta shihte.

Autoritetet ushtarake të kohës e përshkruan rastin si “vetëvrasje”, duke thënë se i riu ishte hedhur nga një objekt i lartë. Por, familja nuk e pranoi kurrë këtë version. Rrethanat ngritën dyshime tek ajo për maltretim apo edhe vrasje.

Sot, paralajmërimet e autoriteteve serbe për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak i kanë rikthyer Sadikut frikën e vjetër.

“I kam tre nipa, të cilët janë të pjekur për ushtarë, por unë nuk i lëshoj”, thotë 82-vjeçari për Radion Evropa e Lirë.

Rikthimi i shërbimit ushtarak dhe shqetësimi i komunitetit shqiptar
Javë më parë, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Millan Mojsilloviq, deklaroi se vendi nuk ka hequr dorë nga rikthimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili u hoq më 2011.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në shtator të vitit të kaluar se ka miratuar rikthimin e këtij shërbimi, i cili do të zgjaste 75 ditë.

Ministri serb i Mbrojtjes, Bratisllav Gashiq, deklaroi më 19 shtator se gjenerata e parë mund të fillojë shërbimin e detyrueshëm ushtarak në fillim të vitit të ardhshëm. Ai tha se pret që gjatë seancës së vjeshtës në Kuvend, të shqyrtohet një paketë e re ligjesh për ushtrinë.

Sipas njoftimeve të tij të mëparshme, shërbimi i detyrueshëm ushtarak do të vlejë për burrat nga 18 deri në 30 vjeç. Ai, gjithashtu, ka thënë se ata që refuzojnë të shërbejnë me armë për arsye të ndërgjegjes, do të përfshihen në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe në Ushtrinë e Serbisë, ku do t’u gjenden vende të përshtatshme për të kryer shërbimin ushtarak pa armë.

Kjo ka shqetësuar komunitetin shqiptar në Luginën e Preshevës, në jug të Serbisë, pasi kujtimet e viteve ‘80 – kur në Jugosllavi u thelluan përçarjet etnike dhe u rrit presioni i Beogradit mbi shqiptarët – janë ende të gjalla.

“Nëse më vjen një ftesë e tillë, natyrisht që, si të gjithë të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës, do të jem i shqetësuar, për shkak të rasteve që kanë ndodhur më parë. Si i ri, kam frikë se mos përsëritet ajo histori e errët që u ndodhi ushtarëve shqiptarë në Ushtrinë jugosllave”.

Valoni – identiteti i vërtetë i të cilit është i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë – mbush këtë vit 18 vjet. Ai thotë se shërbimi i detyrueshëm ushtarak tashmë është bërë temë diskutimi mes shumë të rinjve në Luginën e Preshevës.

I vetëdijshëm për sanksionet e mundshme ligjore, Valoni thotë se nuk do t’i përgjigjej ftesës për shërbim ushtarak. Dhe në atë rast, sipas tij, zgjidhja e vetme do të ishte “largimi nga shtëpia dhe shteti”.

Deputeti i vetëm shqiptar nga Lugina e Preshevës në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dorëzoi muajin e kaluar një propozim për krijimin e një komisioni të posaçëm, “me mandat për të zbardhur rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), gjatë viteve ’80”.

Të dhënat për këta 135 ushtarë – emrat, mbiemrat, periudhat e shërbimit dhe vendet ku kanë shërbyer – Kamberi tha se i ka siguruar nga shoqatat në Kosovë, të cilat i grumbulluan nga familjarët dhe mediat.

“Çështje tjetër është se kur kryetarja e Kuvendit, Ana Bërnabiq, do ta vendosë këtë propozim në rend dite për votim”, thotë Kamberi për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se, duke marrë parasysh se shumica e votave në Kuvend i përkasin Partisë Përparimtare Serbe të Vuçiqit, nuk është shumë optimist se propozimi do të miratohet.

Natasha Kandiq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Beograd, konfirmon për Radion Evropa e Lirë se, si pjesë e hulumtimit të kësaj organizate për humbjet njerëzore gjatë luftës në Kosovë më 1999, janë mbledhur edhe të dhëna për vuajtjet e shqiptarëve që shërbyen si ushtarë të rregullt në kazermat e APJ-së.

Ajo thekson se këto të dhëna nuk janë të plota, por përmbajnë emrat dhe mbiemrat e ushtarëve, ndërsa burimi i tyre janë familjet ose mediat.

“Të dhënat tregojnë për rrethana të çuditshme, se në kazermat në Serbi ka pasur vetëvrasje të dyshuara”, thotë Kandiq.

Në tri raste, sipas saj, familjet morën njoftime për vetëvrasje, por dyshojnë në vërtetësinë e këtyre raporteve.

Kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me kërkesën e deputetit Kamberi.

As Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk dha përgjigje për të sqaruar nëse ajo dhe Ushtria e Serbisë disponojnë informacione për vuajtjet e ushtarëve shqiptarë në kazermat e APJ-së dhe rrethanat e vdekjes së tyre.

“Vdekja e çoroditur” e një të riu: Tragjedia e Yzeir Sadikut

Vdekja e Yzeir Sadikut, 25 vjeç, gjatë shërbimit ushtarak la një plagë të pashlyeshme në familje, rrëfen axha i tij, Sadik Sadiku.

Ai tregon se Yzeiri kishte nisur shërbimin ushtarak në tetor të vitit 1981, pas pjesëmarrjes në protestat e të rinjve shqiptarë në Prishtinë, gjatë marsit dhe prillit të atij viti, për të kundërshtuar pozitën politike dhe juridike të Kosovës në Jugosllavi.

Sadiku thotë se për këtë aktivitet, Yzeiri u thirr në biseda informative nga eprorët ushtarakë, më 11 dhe 12 prill 1982, në kazermën “Lora” në Split të Kroacisë, ku shërbente si marinar.

Një ditë më pas, vëllai i Yzeirit, Adem Sadiku, udhëtoi për në Split, pasi familja mori një telegram nga APJ-ja që e njoftonte se Yzeiri ishte sëmurë rëndë.

Pak më vonë, familjes iu dha lajmi se Yzeiri kishte vdekur. Sipas versionit zyrtar të autoriteteve ushtarake, shkaku i vdekjes ishte vetëvrasja – ai kishte kërcyer nga objekti ku po zhvillohej biseda informative.

Sadiku kujton se në Split, më pas, ka shkuar edhe babai tashmë i ndjerë i Yzeirit, Rrustemi, i cili me profesion ishte hoxhë.

Ai arriti ta shihte kufomën e të birit përpara mbylljes hermetike të arkivolit.

Sipas Sadikut, ai pa shenja dhune dhe torture në trupin e Yzeirit – çka bëri që familja të dyshonte se ai nuk u vetëvra, por u vra nga eprorët që po e merrnin në pyetje.

Rënia e të rinjve shqiptarë në APJ

Yzeiri nuk ishte i vetmi i ri shqiptar që u kthye i vdekur nga shërbimi i detyrueshëm ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ).

Gjatë viteve ‘80 deri në fillimin e viteve ’90, APJ-ja dërgoi me arkivole në shtëpi dhjetëra të rinj shqiptarë nga Kosova dhe trevat e tjera të banuara me shqiptarë.

Related posts

Fund i vakët i Parlamentit, por deputetët mbushin xhepat! Për qershorin, 300 mijë euro paga, mbi 220 mijë euro dietat

Gazeta Max

Qyteti i Shkupit: Këshilltarët e VMRO veprojnë në dëm të qytetarëve

Gazeta Max

Tentoi të kalojë kufirin me Kosovën, arrestohet nga policia

Gazeta Max