Kryetari i LSDM-së, dr. Venko Filipçe, në tribunën qytetare “Po luftojmë për shtëpinë tonë” të mbajtur sonte në Gazi Babë, akuzoi Hristijan Mickoskin se nuk dëshiron reforma në drejtësi, por një sistem gjyqësor të ndërtuar sipas interesave të tij, si në kohën e Gruevskit. Ai theksoi se LSDM nuk do të lejojë që të rikthehen “fletoret” politike të Pallatit të Bardhë.
“Synimi i tyre është të bllokojnë gjithçka për ta kthyer gjyqësorin si në kohën e Gruevskit. VMRO-DPMNE nuk di të qeverisë nëse institucionet janë të pavarura. Kush do ta mbulojë paaftësinë e tyre? Kush do të porosisë aktgjykime kur të jenë në hall? Kjo është arsyeja, Mickoskit i duhet gjyqësor nën kontroll, që të përhapë frikë, të kërcënojë dhe të shantazhojë, njësoj si mentori i tij, Gruevski. Prandaj iku nga dora e zgjatur e LSDM-së për reforma. I thashë: hajde t’i miratojmë reformat, këtë e kërkojnë qytetarët. Ata kërkojnë gjyqësor të pavarur, të reformuar sipas standardeve evropiane. Të rikthejmë besimin në institucione. Unë nuk kam frikë nga gjyqësor i pavarur, por duket se ai ka. Gjysma e qeverisë me kallëzime penale, gjysma e partisë me afera të dyshimta. Prandaj nuk do reforma”, theksoi Filipçe.
Ai shtoi se qytetarët, në vend të drejtësisë dhe reformave, kanë marrë vetëm padrejtësi, ndërsa dërgoi mesazh se LSDM nuk do të heshtë dhe nuk do të lejojë partizimin e gjyqësorit.
“Tani po i them qartë të ndalojë me kërcënimet se çfarë do të bëjë pas zgjedhjeve. Le të mos mendojë se do të heshtim nëse ka vendosur ta partizojë gjyqësorin. Kjo nuk do të lejohet. Ose do të ketë reforma të thella dhe le të përgjigjen të gjithë që kanë gabuar, ose nuk do të lejojmë gjyqtarë të rinj nga fletoret e Pallatit të Bardhë,” u shpreh dr. Venko Filipçe nga Gazi Baba.