Nesër, Nikola Sarkozi do të bëhet ish-presidenti i parë francez në historinë moderne që do të hyjë në qeli burgu, njoftoi vetë ai gjatë fundjavës.
Sarkozi, dikur një yll i skenës konservatore në Francë, u dënua muajin e kaluar me pesë vjet burg për shkak se dyshohet se u lejoi bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë dhe ndërmjetësve jozyrtarë të kërkonin mbështetje financiare nga regjimi i Muamer Gadafit në Libi, në këmbim të përfitimeve ekonomike dhe diplomatike, ndërsa përgatitej për fushatën e tij të parë presidenciale në zgjedhjet e vitit 2007, raportoi Politico.
Ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin – i cili ishte zëdhënës i Sarkozit në vitin 2014 dhe mbetet mik i tij i afërt – tha se është takuar me ish-presidentin pas shpalljes së dënimit dhe se do ta vizitojë në burg për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij.
Në një intervistë për javoren La Tribune Dimanche, Sarkozi deklaroi se do ta vuajë dënimin në burgun “La Santé”, i vetmi burg brenda kufijve të qytetit të Parisit.
Ai do të bëhet shefi i parë francez i shtetit që përfundon pas hekurave që nga rasti i bashkëpunëtorit nazist Philippe Pétain, i cili nënshkroi kapitullimin e Francës ndaj Gjermanisë në vitin 1940. Sot, trashëgimia e Pétain lidhet ngushtë me kolaboracionizmin dhe një nga periudhat më të errëta të historisë franceze.
Nuk dihet sa gjatë Sarkozi do të qëndrojë në burg. Pas hyrjes në qeli, ai mund të kërkojë lehtësim të dënimit, çka mund t’i mundësojë ta vuajë pjesërisht në shtëpi me monitorim elektronik.
Sarkozi ka apeluar vendimin dhe vazhdon të deklarojë pafajësinë e tij, por gjykata me tre anëtarë që e gjykoi rastin konstatoi se serioziteti i akuzave justifikon burgosjen e menjëhershme, pavarësisht apelimit.
Procedurat e apelimit në Francë zakonisht lejojnë shtyrjen e ekzekutimit të dënimit derisa të përfundojë procesi, por për të burgosurit në pritje të rigjykimit, afatet janë më të shkurtra.
Edhe pse ish-presidenti ka pasur disa përplasje me ligjin që nga largimi i tij nga detyra në vitin 2012, ai mbetet një figurë me ndikim në të djathtën franceze.

