GazetaMax
Lajme

Dimitrievski: Tabakana nuk do të bëhet ndërtesë, por parking falas për banorët përreth dhe park me kënd lojërash për fëmijë

Kandidati për kryetar të Komunës së Kumanovës nga radhët e Lëvizjes ZNAM – Për Maqedoninë tonë, Maksim Dimitrievski, sot përsëri paralajmëroi krijimin e një hapësire të re publike të rregulluar në dobi të qytetarëve të kësaj komune. Në lokacionin “Tabakana”, pranë bulevardit “Revolucioni i Tetorit”, nuk do të lejohet ndërtimi i një ndërtese të re, por aty do të ndërtohet një parking falas për banorët lokalë, si dhe një park me kënd lojërash për fëmijë.

“Edhe pse në të kaluarën dikush e kishte paraparë në Planin Detajuar Urbanistik që në këtë lokacion të ndërtohej ndërtesë, unë si kryetar i ardhshëm i Kumanovës nuk do ta lejoj këtë. Të gjitha objektet e përkohshme do të zhvendosen, do të ndërtohet hapësirë e re parkimi, e cila do të jetë falas për të gjithë banorët e lagjes, dhe gjithashtu do të ndërtohet një kënd për fëmijë dhe hapësira të reja të gjelbra,” deklaroi Dimitrievski.

Ai shtoi se është koha t’u vihet fund, siç tha ai, “grupeve ndërtimore urbane” që duan ta betonizojnë çdo hapësirë të lirë në Kumanovë.

“Duhet të themi ndal për grupet ndërtimore që duan ta urbanizojnë çdo pjesë të qytetit tonë me ndërtime të reja prej betoni,” theksoi Dimitrievski.

Në mesazhin e tij video, Maksim Dimitrievski kërkoi mbështetje nga qytetarët për raundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahet më 2 nëntor.

“I ftoj të gjithë qytetarët të dalin masivisht dhe të më japin mbështetje në raundin e dytë, sepse Kumanova meriton të vazhdojë të rritet e të zhvillohet. Ka ardhur koha të rregullohet edhe zona qendrore e qytetit, konkretisht bulevardi ‘Revolucioni i Tetorit’, zgjatja e tij, ndërtimi i një rrethrrotullimi të ri dhe shumë përmbajtje të tjera në zonën qendrore të qytetit,” porositi Dimitrievski.