Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, i cili para pak ditësh fitoi bindshëm mandatin e tij të dytë duke marrë përkrahje nga votues të të gjitha bashkësive etnike, ka njoftuar për përfundimin e një tjetër projekti të rëndësishëm infrastrukturore në fshatin Luboten.
“Me punë dhe projekte e mposhtëm BDI-në në Luboten! Edhe rruga e dytë kryesore në këtë vendbanim po përfundon me ndërtim”, ka deklaruar Kostovski.
Kostovski ka theksuar se është bërë rindërtimi i plotë i rrugës nr. 3, ndërsa vetëm disa ditë më parë ka përfunduar edhe rruga nr. 1, duke rikthyer infrastrukturën moderne në këtë zonë pas më shumë se 25 vitesh, që nga viti 1998.
Përveç rrugëve, aktualisht po zhvillohet me intensitet ndërtimi i rrjetit të ri të ujësjellësit, me të cilin Luboteni do të sigurojë ujë të pijshëm nga rrjeti i qytetit.
Gjatë katër viteve të kaluara komuna e Butelit sipas Kostovskit ka realizuar rekonstruksionin e gjithsej 12 rrugëve në Luboten, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e jetesës për banorët.
“Po i ndryshojmë gjërat për të siguruar kushte të denja për të gjithë qytetarët. Investojmë dhe ndërtojmë aty ku për dekada me radhë askush nuk ka pasur interes”, ka theksuar Kostovski, duke shtuar se do të vazhdojë bashkë me qytetarët ta zhvillojë Butelin në një komunë moderne dhe më të mirë për të jetuar.


