Policia e Kosovës ka dhënë detaje të reja për vrasjen e dyfishtë që ka ndodhur dje në fshatin Gollubovc të Malishevës.
Përmes një njoftimi për media, policia ka treguar se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe dy armë zjarri.
Sipas njoftimit të policisë, të dy armët dyshohet të jenë përdorur në këtë rast.
“Dje më datë 06.11.2025, rreth orës 11:30, jemi njoftuar për rastin vrasje në fshatin Gollubovc të Malishevës ku viktimat e rastit ishin dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vëllezër). Njësitë e nevojshme policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe, gjatë ekzaminimit, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri që dyshohet të jenë përdorur në këtë rast. Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit dhe identifikimin e të dyshuarit”, ka njoftuar policia, duke treguar detaje tjera.
“Sot, më datë 07.11.2025, rreth orës 06:25, në fshatin Pllaqicë, është arritur të arrestohet personi i dyshuar A. I. (1983), mashkull kosovar. Pas arrestimit, të dyshuarit i është ofruar trajtim mjekësor, pasi i njëjti ka pasur plagë që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit. Ai është dërguar për trajtim të vazhduar mjekësor. Hetimet lidhur me rastin janë në zhvillim e sipër dhe po udhëhiqen në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit”, është thënë në njoftim.

