Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, sot mori pjesë në jubileun e 10-të të Konferencës Rajonale për Koordinimin e Sigurisë në Ballkanin Perëndimor, e organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC), me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Ministrisë së Brendshme të Republikës Italiane, dhe në partneritet me Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në fjalimin e tij, Iseni theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në përballjen me sfidat e përbashkëta të sigurisë, duke nënvizuar përkushtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të forcuar besimin në institucione, për të rritur transparencën dhe për të përmirësuar efikasitetin në punë.
“Një Ballkan Perëndimor i qëndrueshëm dhe i sigurt është parakusht për integrimin evropian dhe stabilitetin afatgjatë të të gjithë kontinentit. Reformat duhet të jenë të dukshme, të matshme dhe transparente, me politika të qarta, hetime më efektive, mekanizma të fortë të mbikëqyrjes së brendshme, integritet të pavarur gjyqësor dhe llogaridhënie të mirëfilltë policore,” deklaroi Iseni.
Konferenca mblodhi përfaqësues të lartë nga qeveritë e rajonit, partnerë ndërkombëtarë, ekspertë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me qëllim shkëmbimin e përvojave, praktikave të mira dhe forcimin e politikave të përbashkëta të sigurisë në rajon.

