Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, nw rrjetet sociale ka shkruar se siguria dhe shëndeti në punë janë themeli i një ekonomie të qëndrueshme dhe të drejtë.
Sot, në një ngjarje të përbashkët me kryeministrin Hristijan Mickoski, ambasadorin e Bashkimit Evropian Mihalis Rokas dhe përfaqësuesen e Organizatës Ndërkombëtare të Punës Rita Kolumbia, nisi zyrtarisht projekti për vendosjen e standardeve të reja të sigurisë dhe shëndetit në punë në Maqedoninë e Veriut.
“Kujdesi për punëtorët dhe siguria e tyre nuk janë luks, por detyrim. Investimi në siguri është investim në sukses për punëtorët, për punëdhënësit dhe për ekonominë”, shkroi ministri Durmishi.
Projekti, që realizohet në partneritet me Organizatën Ndërkombëtare të Punës (OIT) dhe Bashkimin Evropian, ka për qëllim forcimin e institucioneve, përmirësimin e sistemit të të dhënave, si dhe zhvillimin e një strategjie të re kombëtare për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Durmishi theksoi se përmes këtij projekti po ndërtohet një sistem modern dhe i drejtë, ku punëtori është në qendër të politikave publike.

