Kampioni shqiptar i njohur i disiplinës K1, Sazan Memedi – Kimbo, do të ngjitet sërish në ring më 29 nëntor 2025, në Sporthalle Schachen Aarau në Zvicër, në eventin e madh sportiv “The Story 8”.
Këtë herë, Kimbo do të përballet në një ndeshje revanshi me luftëtarin kroat Antonio Martić, në një duel që pritet të ndezë atmosferën mes tifozëve shqiptarë dhe kroatë.
Nën moton “Revanche”, përballja premton spektakël, forcë dhe emocione të forta. Kimbo, i cili tashmë ka fituar respektin e skenës ndërkombëtare me performancat e tij të fuqishme dhe stilin agresiv, synon të vulosë një tjetër fitore madhështore për flamurin kuqezi.
“Jam gati për gjithçka. Kjo nuk është thjesht një ndeshje, është betejë për nderin dhe për kombin tim,” – ka deklaruar Kimbo, duke shtuar se këtë herë do të japë gjithçka për të dalë fitimtar.
Biletat për eventin janë të disponueshme në vendin e ngjarjes (Tickets an der Abendkasse), ndërsa pritshmëritë janë që palestra në Aarau të jetë e mbushur me tifozë shqiptarë që do ta mbështesin kampionin e tyre.

